Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe Imzot Arjan Dodaj shërbyen një drekë festive, bashkë me misionin e Caritas-it në Shqipëri, për njerëzit në nevojë. Veliaj, gjatë fjalës së tij vlerësoi punën e organizatës humanitare, ndërsa bëri thirrje që edhe të tjera shoqata apo njerëz të ndjekin një shembull të tillë.
“Ju dhëntë Perëndia shumë fuqi, shumë kurajë, shumë nerva të forta, siç themi ne shqiptarët, sepse është një punë vërtet e bekuar, edhe na e bën edhe punën tonë, si në shërbim civil, ashtu edhe në shërbim të besimit, pak më të lehtë kur e dimë që e kemi një ushtri të veshur me të kuqe, që është atje në terren për të ndihmuar këdo në nevojë” u shpreh Veliaj.
Edhe Imzot Arjan Dodaj e vuri theksin në rëndësinë që kanë për shoqërinë bashkëpunime të tilla. Duke falenderuar kryebashkiakun, ai u shpreh se është e nevojshme që gjesteve të secilit prej nesh tu jepet vlera e duhur.
“Veprat e dashurisë janë shumë të bukura kur janë të prekshme, si sot..sepse kemi nevojë për atë termostatin shpirtëror, që i jep gjesteve tona vlera. Përndryshe janë gjeste që përndryshe vdesin në vetvete. Kështu që, sot mendoj se ky termostat po fillon të ndihet më shumë. Faleminderit edhe ty zoti kryetar” – u shpreh ai.