Përjashtimi i Berishës/ Basha: Ishte ditë dramatike për mua! Amerika vuri ultimatum, donte përjashtim nga Kuvendi…

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka bërë me dije se Amerika kërkonte përjashtimin e liderit historik të PD-së, Sali Berisha, nga partia që e themeloi dhe nga Kuvendi i Shqipërisë, si deputet i kësaj force.

Në një intervistë për “Open”, Basha tha se, ishin negociatat e tij që sollën në “zbutjen” e kërkesave, ndërsa përmendi se Berisha, ka pasur gjithë kohës respektin e tij, duke prekur ndonjëherë edhe interesin e tij vetiak.

Po ashtu, në fjalën e tij kryedemokrati shtoi se, nëse vendimi për përjashtimin e Berishës nuk do të merrej, PD do të izolohej nga çdo kontakt me aleatët.

Kreu i PD-së, Basha, e ka përshkruar si një ditë dramatike vendimin e marrë për përjashtimin e Sali Berishës nga Grupi Parlamentar i PD-së.

“Ndryshe nga Berisha unë nuk kam shkelur dhe as nuk kam ndërmend të shkel mbi arritjet e përbashkëta të cilat kanë qenë për shqiptarët, duke i parë edhe në prizmin që ai na ka vendosur edhe në dritëhijet, dëmet dhe problemet që kemi shkaktuar gjatë qeverisjes sonë, por mos të shohim të djeshmen me sytë e interesit të sotëm”,- tha Basha.

“Më 9 shtator unë mora një vendim bazuar në statutin e miratuar në kohën që Berisha ishte. Mund t’ju them sot që ka qenë një ditë dramatike për demokratët dhe për mua personalisht”,- tha Basha.

“Një marrëdhënie 16-vjeçare qoftë si kreu i PD, qoftë si bashkëpunëtor me të, askush tjetër nuk ka bashkëpunuar më afër nga të gjithë demokratët dhe për të këtë arsye. Kjo u bë që të shmangte koston e demokratëve”,- tha Basha.

Në fjalën e tij gjatë emisionit “Open”, Basha tha se, Berisha i ka bërë me dije se do të bënte gjithçka pa menduar për pasojat që do t’u shkaktonte demokratëve dhe PD-së.

Ndërsa Basha që në atë moment, e ka paralajmëruar se në këtë pikë do të kishte një përplasje me të.

“Unë di që kam vendosur që të mos pështyj në 16 vite bashkëpunim me Sali Berishën. Këto janë fakte. Unë i kam qëndruar fjalëve të mia. Unë jam konseguent. Përgjegjësia ime kryesore është jo t’i fshihet vendimeve të vështira.

E kam kalkuluar shumë mirë sepse ma ka thënë në sy dhe unë ia kam thënë. Ma ka thënë në sy që para vetes nuk vë as PD dhe as demokratët. Ma ka thënë që në ditën e parë kur kemi nisur diskutimet lidhur me këtë çështje.

Berisha njihet për emocionalitetin dhe energjinë e tij, nuk kthehet edhe kur e ka gabim. Kur ai ka qenë kryetar. Një nga vlerat që kanë shtuar ka qenë racionaliteti me kriza. Kur u përballëm me “non gratën” i kam thënë të mos futemi në konspiracione.

Mos të gënjejmë veten tonë. Të shikojmë çfarë mund të arrijmë për shqetësimet e tuaj. Ky ka qenë debati për 2 muaj e gjysmë. Dinjiteti, kam besuar se nuk zerohen arritjet e Sali Berishës. Qëndrimi i tij ka qenë konstant, nuk vë njeri as PD-në para vetes time. E i kam thënë që këtu do të kemi pikë përplasjeje.

Unë i kam thënë që do të duhet të marrë vendimet e mia si kryetar i Partisë Demokratike. Zotëri më ka thënë ti merr vendimet e tua, unë marr vendimet e mia”,- tha ndër të tjera Basha.

/Priza.al/

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *