Kreu i Partisë Demokratike, gjatë fjalës për mediat nga mbledhja e grupit parlamentar, është ndalur edhe tek përjashtimi i deputetëve të ‘grupit’ të tij, përfshirë edhe atij vetë, nga parlamenti.
“Parlamenti drejtohet në mënyrë të shpifur. Kjo ndodh vetëm në një shpellë mafiesh, në parlamentin Rama-Linda. Ne nuk e lëshojmë parlamentin, do të bëjmë betejë, për të mbrojtur interesat e kombit shqiptar, asgjë personale.
Të përgatitet mirë Rama se keqpërdorimi dhe keqshfrytëzimi i Lindës nuk do ja zgjidhë dot problemet. Ne jemi përpjekur t’i tregojmë si drejtohet parlamenti, por ajo është një mjerane, një skllave politike e Edi Ramës, sillet pa ligj, pa parim, pa asgjë” – u shpreh Berisha.
Ish-kryeministri u ka kërkuar mediave të sqarojnë qytetarët se fakti që Partia Demokratike nuk është aktive në parlament, vjen nga sjellja e kryetares së parlamentit dhe kryeministrit.
“Qytetarët duhet ta dinë se çfarë intrigash të ulëta thuren ndaj deputetëve tanë në parlament. Ligjet tona mbahen në sirtarët e Lindës. Na mohohet e drejta kushtetuese” – tha Berisha.
Ai theksoi se në rregulloren e miratuar në gusht të vitit 2018 të grupit parlamentar, nuk ekziston ‘përjashtimi’. Sakaq ai ftoi shqiptarët t’i bashkohen protestës së datës 11, në të cilën sipas tij do të përmbyset monizmi, droga dhe vjedhja.