Përkujtohen Dëshmorët e Policisë/ Rrumbullaku: Përulemi para veprës dhe sakrificës së tyre!

Një ceremoni me rastin e Ditës së Dëshmorëve u zhvillua sot në Akademinë e Sigurisë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Komisionit për Sigurinë Kombëtare, të Ministrisë së Brendshme, drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, të misioneve që asistojnë punën e Policisë së Shtetit, si dhe familjarë dhe të afërm të punonjësve të Policisë të rënë në krye të detyrës.

Gjatë ceremonisë, nënkryetari i Komisionit për Sigurinë Kombëtare, Xhemal Qefalia, zv.ministri i Brendshëm Besfort Lamallari, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku dhe Marsida Rrustemaj, vajza e Dëshmorit të Policisë Çel Rrustemaj, mbajtën secili fjalën e rastit, në shenjë vlerësimi për aktin sublim të punonjësve të Policisë të rënë në krye dhe për shkak të detyrës.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit tha se sakrificat e tyre na motivojnë që të mos harrojmë kurrë betimin para flamurit.

Rrumbullaku: “Çdo 5 Maj, Policia e Shtetit dhe gjithë populli ynë përulen para veprës dhe sakrificës së kolegëve tanë që nuk janë më mes nesh. Sakrificat e tyre na kanë motivuar dhe na motivojnë që të mos harrojmë kurrë betimin para flamurit dhe të nderojmë uniformën që mbajmë veshur. Ky betim ka në themelet e tij edhe gjakun e 226 Dëshmorëve të Policisë. Të nderuar familjarë të Dëshmorëve të Atdheut, sot, ju nuk jeni vetëm, asnjëherë nuk do të jeni vetëm, por pjesë e rëndësishme e familjes sonë të madhe, Policisë së Shtetit. Djem dhe vajza të Dëshmorëve të Policisë gjenden sot në radhët tona, për të vazhduar misionin e baballarëve të tyre. Të jeni të bindur që sakrifica e tyre nuk do të shkojë dëm. Për të gjithë ne, për mua personalisht, është detyrë, përgjegjësi dhe reflektim në punën tonë.

Puna e gjithsecilit prej nesh, mbart brenda saj sakrificën e qindra Dëshmorëve të Policisë, detyrimin e të gjithë atyre që duan dhe zbatojnë ligjin, që të përkrahin Policinë, në luftën e pandërprerë me të keqen dhe krimin. Jeta dhe gjaku i tyre do të do jenë motivi ynë për të përmbushur misionin për të cilin ata u sakrifikuan. I përjetshëm qoftë kujtimi i Dëshmorëve të Policisë së Shtetit. Lavdi të përjetshme Dëshmorëve të Atdheut!”

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *