Ministrja për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi ka deklaruar ditën e djeshme në parlament se dy do të jenë politikat kryesore ku qeveria do të mbështetet më shumë për një të ardhme më të sigurt për të rinjtë.
Ajo ka thënë se e para është implementimi i kodimit si lëndë të re duke filluar që nga klasa e parë. Ministrja është shprehur edhe se në fillim të vitit të ri shkollor do të pajisen me laboratorë teknologjikë 100 shkolla të vendit. Sakaq, fëmijët do të mësojnë në klasë të parë kurrikulën e kodimit.
“Orientimi në shkenca do u ofrojë të rinjve një të ardhme më të sigurt. Politikat në këtë fushë janë dy. E para është përfshirja e kodimit që në klasë të parë dhe e dyta që lidhet me ofrimin e bursave për të rinjtë. Fillimin e vitit të ri shkollor 100 shkolla në të gjithë Shqipërinë do pajisen me laboratorë teknologjikë të rinj. Fëmijët e klasës së parë do mësojnë kurrikulën e kodimit. Këta fëmijë bashkë me ata që ndjekin kodimin si lëndë ekstra kurrikulare do jenë ata që do hapin rrugën për Shqipërinë e teknologjisë për të konkurruar në mënyrë të denjë me bashkëmoshatarët evropianë”, tha ajo.