Mbrëmja e sotme është mbyllur me zhgënjim në Tel Aviv. Izraeli na fundos në fund të grupit me fitoren 2-1. Ndeshja nis me një rast të pastër nga Armando Broja, i cili gabon një për një me portierin. Izraeli pati rastet e veta në pjesën e parë, ndërsa në minutën e fundit ishte Broja i cili sërish dështon ballë për ballë portierit.
Pjesa e dytë nis me festën izraelite. Vetëm 40 sekonda nga fillimi i fraksionit të dytë të lojës dhe Vajsman shkund rrjetën. Kuqezinjve u mungon kthjelltësia pas disavantazhit, prandaj Reja ndërhyn me zëvendësimet. Uzuni hyn nga stoli dhe për një moment merr rolin e heroit. Sulmuesi beratas konfirmon formën e jashtëzakonshme që po kalon, teksa në minutën e 86 realizon një gol për kornizë me topin që gjendej ende në ajër.
Por festa i lë shpejt vendin trishtimit. Veseli flak në kosh magjinë e Uzunit, teksa bën një gafë amatoreske në zonë. Mbrojtësi i Beneventos nuk koordinohet dot me topin dhe ngatërrohet me këmbët e tij. Topi mbetet në zonë dhe Izraeli kalon sërish në avantazh. Festa i takon e gjitha izraelitëve, të cilët siguronë vendin e parë në grup dhe sezonin e ardhshëm do të jenë pjesë e Ligës A në Ligën e Kombeve. Më poshtë gjeni intervistat për “Supersport”:
Uzuni: “Nuk ndihem mirë. Kam luajtur gjithmonë me injeksione në këto ndeshjet e fundit te Granada. Kam luajtur me gjilpëra këto minuta edhe te Shqipëria. Mos të gabojmë gjithmonë kështu, gjithmonë e pësojmë në fund. Është një nga golat e mi më të bukur të karrierës”.
Gjasula: “Izraeli po na dominonte dhe prandaj Reja na dërgoi sërish në skemën me 3 në mbrojtje. Na vendosi kështu që të luanim si më para. Na mungoi dhuna para portës, për të gjetur golin. Duhet të luftojmë gjithmonë për njëri-tjetrin, kjo na mungon. Fati nuk të vjen po nuk e meritove”.