Përmbytjet dhe moti i keq zaptojnë vendin/ Presidenti Meta: Situatë kritike! Thirrje të gjitha institucioneve, të angazhohen për sigurinë e jetës…

Në Jug dhe në Veri të vendit po paraqitet një situatë tepër e vështirë klimatike e cila është përkeqësuar mjaft në këto 24 orët e fundit.

Reshjet e borës dhe shirat kanë bërë që shumë lumenj të vërshojnë dhe dalin nga shtretërit natyror, duke shkaktuar përmbytje masive dhe bllokime rrugësh.

Nisur nga kjo situatë, Presidenti Ilir Meta, ka reaguar përmes rrjetit social Facebook, duke kërkuar angazhimin e të gjitha strukturave shtetërore për të përballuar situatën e krijuar nga përmbytjet në vend, si pasojë e motit të keq.

Në një postim në “Facebook”, Kreu i Shtetit thekson se: “problematik është fakti se ashtu si në të kaluarën, autoritetet e Mbrojtjes Civile dhe Prefekturat, nuk e kanë njoftuar më herët popullatën në zonat me risk të lartë”.

Teksa solidarizohet me banorët e prekur nga përmbytjet dhe ngricat, Presidenti Meta, iu bën thirrje të gjithë institucioneve përgjegjëse shtetërore të angazhohen maksimalisht për sigurinë e jetës dhe të pronës.

Reagimi i plotë i Presidentit të Republikës, Ilir Meta, nga Facebook:

“Jam duke ndjekur me vëmendje të veçantë situatën kritike të krijuar, si pasojë e motit të keq dhe masat që po merren për tejkalimin e saj në disa zona të përmbytura dhe të bllokuara nga reshjet e borës.

Jam informuar se situata paraqitet më problematike në Qarkut e Fierit, sidomos në njësinë administrative Levan, fshatin Ferras, ku janë evakuuar 15 familje dhe qindra hektarë tokë bujqësore, ndodhen nën ujë.

Përmbytje të shumta ka edhe në Qarkun e Vlorës, sidomos në zonën e Mifolit ku sipërfaqja e përmbytur e tokës bujqësore i kalon mbi 1200 hektarë, ndërkohë që shumë fshatra në Lumin e Vlorës rezultojnë të izoluara.

Gjithashtu në Veri, Veri-Lindje dhe Jug-Lindje të vendit shumë zona rezultojnë sot të bllokuara nga reshjet e shumta të borës.

Problematik është fakti se ashtu si në të kaluarën, autoritetet e Mbrojtjes Civile dhe Prefekturat nuk e kanë njoftuar më herët popullatën në zonat me risk të lartë, lidhur me parashikimin e hershëm sipas IGJEUM, që prej ditesh ka njoftuar autoritetet shtetërore në lidhje me parashikimin e motit.

Duke u solidarizuar me banorët e prekur nga pasojat e motit të keq, u bëj thirrje të gjithë institucioneve përgjegjëse shtetërore të angazhohen maksimalisht për sigurinë e jetës dhe të pronës”.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *