Përmes syve zbulohet sa gjatë do të jetoni

Sytë janë një dritare për mjekët të cilët mund të kontrollojnë se sa është koha e mbetur e njeriut për të jetuar.

Një ekip studiuesish ka zbuluar një lidhje midis moshës biologjike të retinës së syrit të një personi dhe rrezikut të vdekjes.

Membrana në pjesën e pasme të syrit përmban qeliza të ndjeshme ndaj dritës, të cilat fillojnë që të përkeqësohen gjatë moshës së mesme. Një studim me thuajse 47.000 të rritur zbuloi se njerëzit, retina e të cilëve ishte “më e vjetër” se mosha e tyre aktuale, kishin më shumë gjasa të vdisnin gjatë dekadës së ardhshme.

Zbulimi mund të çojë në një mjet kontrolli rutinë për një sërë sëmundjesh kërcënuese për jetën, përfshirë atë të Alzheimerit. “Retina ofron një “dritare” unike të aksesueshme për të vlerësuar proceset themelore patologjike të sëmundjeve sistemike vaskulare dhe neurologjike, që shoqërohen me rrezik të shtuar të vdekshmërisë”- thotë autori kryesor i studimit dr.Minguang He nga Qendra për Kërkimin e Syve në Australi.

Studiuesit monitoruan mesatarisht për 11 vjet pjesëmarrësit në studim, që të gjithë midis moshës 40–69 vjeç. Secilit person iu skanua fundusi – sipërfaqja e pasme e syrit – si pjesë e studimit të Biobank në Britaninë e Madhe. Më pas ekipi krahasoi “moshën biologjike” të secilës retinë me moshën kronologjike të atij personi, duke zbuluar një “hendek të moshës së retinës” tek shumë pjesëmarrës.

Diferencat më të mëdha, lidheshin me një rrezik më të lartë prej 49–67 për qind të vdekjes nga çdo shkak tjetër përveç sëmundjeve kardiovaskulare ose kancerit. Kjo ndodhi pasi atamorën parasysh faktorët potencialisht me ndikim si tensioni i lartë i gjakut, Indeksi i Masës Trupore (BMI), zakonet e jetesës dhe përkatësia etnike.

“Gjetjet tona të reja, kanë përcaktuar se hendeku i moshës së retinës, është një parashikues i pavarur i rritjes së rrezikut të vdekshmërisë, dhe sidomos i vdekshmërisë nga sëmundjet jo kardiovaskulare dhe as ato kanceroze. Këto gjetje sugjerojnë se mosha e retinës, mund të jetë një biomarker klinikisht i rëndësishëm i plakjes”– thonë studiuesit.

Për çdo rritje prej 1 viti në hendekun e moshës retinore, shkencëtarët gjetën një rritje prej 2-3 për qind të rrezikut të vdekjes nga çdo shkak apo një shkak specifik. Të dhënat tregojnë se rrjeti i enëve të vogla në retinë, është një tregues i besueshëm i shëndetit të përgjithshëm të sistemit të qarkullimit të gjakut dhe trurit.

Ekipi e vërtetoi modelin e tyre të analizës, duke përdorur rreth 19.200 imazhe të fundusit nga sytë e djathtë të 11.052 pjesëmarrësve, që gëzonin një shëndet relativisht të mirë. Ai tregoi një lidhje të fortë midis moshës së parashikuar të retinës dhe moshës reale. I njëjti proces i aplikuar në syrin e majtë dha rezultate të ngjashme.

Më pas ekspertët vlerësuan hendekun e moshës së retinës tek 35.917 vullnetarët e tjerë. Gjatë periudhës së studimit, 1.871 (5 për qind) pjesëmarrës vdiqën. Nga ky grup, 321 (17 për qind) vdiqën nga sëmundjet kardiovaskulare, 1018 (54.5 për qind) vdiqën nga kanceri dhe 532 (28.5 për qind) vdiqën nga shkaqe të tjera, përfshirë demencën.

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *