Gjatë periudhës komuniste në Shqipëri (1944-1991) janë ekzekutuar dhe pushkatuar në mënyrë mizore mijëra burra dhe gra, me ose pa urdhër gjykate, dhe pothuajse trupat e tyre nuk janë kthyer asnjëherë familjeve të tyre.
Ndërkaq, sot mësohet se para 2 javësh është zbuluar njw varr masiv i viktimave të diktaturës komuniste në Përmet. Një sipërfaqe gati 100 metra katrorë është zbuluar nga firma ndërtuese e cila merret me shtrimin e rrugës në lagjen e re të Përmetit.
Firma ndërtuese ka informuar autoritetet policore dhe këto të fundit kanë rrethuar zonën në fjalë. Për kreun e shoqatës antikomuniste të të përndjekurve politikë Nebil Çika, ky vend ka shërbyer për ekzekutimin e disidentëve dhe kundërshtarëve të regjimit dhe ka qenë hapësire e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
“Janë katër varre që ne dyshojmë se janë të të zhdukurve nga diktatura komuniste, të të pushkatuarve. Kemi gjetur vetëm katër, në fakt dyshohet nga dëshmitarët dhe nga indiciet që të jetë një varrezë shumë e madhe. Pra, edhe ndërtesat që janë ndërtuar këtu, një pjesë e tyre dyshohet që të jenë bërë mbi varre. Në diktaturën komuniste këtu ka qenë një repart ushtarak, nga ato repartet famëkeqe të ndjekjes që ndiqnin armiqtë e komunizmit, diversantët, ata që arratiseshin dhe deri në vitin 1991 ka qenë qendra më e madhe e stërvitjes së ushtarëve të kufirit për të gjithë jugun e Shqipërisë. Në bazë të të dhënave që kemi dhe nga arkivi i ministrisë së Brendshme, por edhe nga dëshmitarët, këto lloj repartesh të izoluara, në varësi të ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të sigurimit të shtetit përdoreshin dhe si vende ekzekutimi për kundërshtarët e regjimit, ata që dënoheshin me vdekje, ata që vriteshin ose kapeshin në kufi, varroseshin në këto vende. Jemi këtu për të denoncuar jo vetëm gjetjen e eshtrave. Dua të falënderoj firmën e ndërtimit të rrugës, e cila është treguar e përgjegjshme dhe e ka rrethuar vendin, ka lajmëruar policinë dhe prokurorinë, ndërkohë që shteti nuk ka marrë asnjë masë. Këtu në bazë të ligjit kemi një skenë krimi. Kemi katër skelete, katër trupa të vdekurish. Normalisht duhet të ishte skenë krimi, e rrethuar me shenjat e policisë dhe duhet të kishte roje të armatosur 24 orë. Mund të vijë dikush në darkë, t’i marrë, t’i heqë sepse nuk ka njeri. Ka dy javë, nuk ka ardhur askush, nuk ka as urdhër prokurorie për të filluar hetimet, nuk ka ardhur as mjek ligjor, as antropolog. Kjo dëshmon indiferencën e shtetit kur bëhet fjalë për të zhdukurit gjatë diktaturës komuniste”, deklaroi Çika.
/Burimi videos: Ballkanweb/