Autori i aksidentit të rrezikshem që ndodhi disa ditë më parë ka dalë më në fund përpara gjykatës, me kokën ulur.
Ai është njohur me masën e sigurisë së kërkuar nga prokuroria e kryeqytetit të cilën ka tentuar ta zbusë me anë të dy kërkesave të bëra nga mbrojtësi i tij ligjor.
Duke qëndruar në pozita mohuese për të gjitha arsyet e ikjes së tij nga vendi i aksidentit ditën e ngjarjes, Sulejmëni ia ka besuar të vërtetën avokatit, i cili i tha Gjykatës se klienti i tij nuk ka dashur të largohet, por se ai ka qenë i traumatizuar për çështjen se në mjet kishte edhe vajzën e tij 5 vjeçe.
Por gjykata nuk ka pranuar asnjë kërkesë të avokatit, duke e lënë në qeli në burg pa afat Ajas Sulejmënin, nën akuzat që lidhen për gabimet në atë manovër që desh iu kushtoi jetën tre pjesëtarëve të një familjeje, mes të cilëve edhe të një vajze vetëm 3 muajshe!
SEANCA
Ajas Sulejmëni, 39-vjeçari nga Tepelena që aksidentoi rëndë një çift me foshnjën e tyre në vijat e bardha në Rrugën e Kavajës, është lënë në masën e arrestit me burg nga Gjykata. Përpara gjykatës, avokati i mbrojtës i Sulejmënit ka kërkuar masë më të butë sigurie, atë të “Arrestit shtëpiak”, me pretendimin se është baba i tre fëmijëve të mitur dhe se duhet të jetë në shtëpi.
Një tjetër kërkesë drejtuar gjykatës nga avokati ishte që klienti i tij të hetohej të paktën në masën e sigurisë “burg me afat”, deri në përgjigjen e ekspertimit autoteknik të mjetit luksoz, si dhe përgjigjes së analizave të urinës dhe gjakut për të parë nëse ai kishte konsumuar apo jo lëndën narkotike.
Vetë Sulejmëni nuk ka folur asnjë fjalë përpara gjykatës, duke u shprehur se jam dakord me avokatin. Në fund gjykata rrëzoi pretendimet e tyre, duke e lënë në burg autorin e asaj ngjarjeje të rëndë.
Mbi të rëndojnë tri akuza, ajo e shkeljes së rregullave të qarkullimit me pasoja, drejtim të automjetit në mënyrë të parregullt nën ndikimin e drogës, largim nga vendi i aksidentit.
REFERIMI I POLICISË
Policia ka referuar të gjithë dinamikën e aksidentit ku përmend se në Rrugën e Kavajës, një mjet fuoristradë, që ka qarkulluar me shpejtësi tej normave të lejuara, është përplasur me Arjan dhe Vilma Konomin.
Çifti ka pasur karrocën e dorës me fëmijën tremuajsh. Karroca u rrëzua pa u goditur, thonë ekspertët e Policisë rrugore. Mjeti është lënë në vendngjarje, aty u gjetën dokumente personale dhe një telefon dhe pas rreth dy orësh është e bërë mundur kapja e drejtuesit të automjetit që u gjet te një spital privat.
Nga testi i dragerit, rezultoi se ai nuk kishte pirë alkool, por nga testi drogëmatës rezultoi se ishte nën ndikimin e lëndëve narkotike, specifikisht marijuanë dhe metamefinë.
Aktualisht, çifti ende ndodhet në spital pasi kanë dëmtime të rënda, ndërsa foshnja ka dalë nga spitali. Ditëve të fundit është bërë me dije se gjendja e tyre ka nisur të përmirësohet, ndonëse që të dy janë nën terapi intensive në Spitalin e Traumës.