Një 22-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Sarandës, pasi shpërndante drogë në plazhe.
Gjatë operacionit policor antidrogë të koduar “Vrina”, ai u gjet nga policia, por nuk iu bind urdhrit për të ndaluar dhe tentoi të largohej me automjet me shpejtësi, duke u rrezikuar seriozisht jetën efektivëve.
Pavarësisht sinjalizimit për të ndaluar, ai ka shtuar shpejtësinë e automjetit dhe ka goditur me automjet, një punonjës policie agjent të Policisë Kriminale, i cili si pasojë është dëmtuar lehtë.
Gjatë kontrollit fizik, policët i gjetën një sasi të vogël lënde narkotike kokainë, ndërsa gjatë kontrollit në banesë, iu gjetën 108 fishekë luftarak.
Nga verifikimet rezultoi se ky shtetas e drejtonte automjetin, pa leje drejtimi dhe pa pasur dokumentacionin përkatës për këtë automjet.
“Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, për një shtetas që dyshohet se shpërndante lëndë narkotike kokainë dhe cannabis sativa, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Vrina”. Në kuadër të këtij operacioni, në fshatin Vrinë, shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi, automjetit me të cilin qarkullonte shtetasi i dyshuar i implikuar në këtë veprimtari kriminale, shtetasi K. M. Pavarësisht sinjalizimit për të ndaluar, ky shtetas ka shtuar shpejtësinë e automjetit dhe ka goditur me automjet, një punonjës policie (agjent të Policisë Kriminale), i cili si pasojë është dëmtuar lehtë. Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të këtij shtetasi dhe pas disa minutash, kanë bërë bllokimin e automjetit, si dhe arrestimin e drejtuesit të tij, shtetasit K. M., 22 vjeç, banues në Konispol. Gjatë kontrollit fizik dhe në automjetin që drejtonte 22-vjeçari, shërbimet e Policisë gjetën një sasi të vogël lënde të dyshuar narkotike kokainë, ndërsa gjatë kontrollit në banesën e tij, gjetën 108 fishekë luftarak. Lënda narkotike, fishekët luftarak dhe automjeti i shtetasit K. M., u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, sipas policisë.