26-vjeçari shqiptar i cili ishte shpallur në kërkim nga policia greke, pasi përplasi me makinë në 21-vjeçare është vetëdorëzuar ditën e sotme në polici. Aksidenti ka ndodhur më datë 22 nëntor të këtij viti në Selanik. Shqiptari ka qenë duke lëvizur me një makinë tip “Skoda”, kur ka përplasur të renë. Pas përplasjes së parë, shqiptari u kthye mbrapsht dhe e shtypi sërish 21-vjeçaren, e cila ndërroi jetë në spital. Pas largimit nga vendngjarja, shqiptari ka qëndruar në arrati deri ditën e sotme.
“Nëse do të kishte kaluar te vizat e bardha, s’do të kishte ndodhur asgjë. 20 metra më lart kishte viza të bardha. U largova nga vendngjarja, sepse kisha frikë, sepse nuk kam leje qëndrimi për në Greqi” – kështu është shprehur i riu shqiptar përpara hetuesve.
26-vjeçari është një person i njohur për policinë greke, pasi në të kaluarën është arrestuar për trafikim dhe shitje të lëndëve narkotike.