Përplasi për vdekjen të moshuarin në Tiranë, në pranga 45 vjeçari që drejtonte makinën i droguar

45-vjeçari me iniciale E.N është vënë në prangat e policisë pasi ka drejtuar mjetin nën efektin e lëndëve narkotike dhe më pas ka përplasur për vdekje 73-vjeçarin në rrugën Asim Vokshi në Tiranë.

Pas aksidenti, 45 vjeçari është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Njoftimi i policisë

Policia Rrugore e Tiranës vë në pranga një tjetër shtetas që drejtonte mjetin nën efektin e lëndëve narkotike.

Aksidentoi një shtetas me pasojë vdekjen dhe u largua nga vendi i ngjarjes, kapet dhe vihet në pranga drejtuesi i automjetit i cili drejtonte automjetin në gjendje të dehur dhe nën efektin e lëndëve narkotike.

Ky është rasti i katërt, brenda dy javëve, gjatë të cilit Policia Rrugore e Tiranës arreston drejtues mjetesh që përdorin mjetet nën efektin e lëndëve narkotike.

Shërbimet e Policisë Rrugore, pas marrjes së njoftimit se një mjet me drejtues ende të paidentifikuar, në rrugën “Asim Vokshi”, ka aksidentuar shtetasin Z. K., 73 vjeç, i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në spital, dhe drejtuesi i mjetit, pas aksidentit është larguar, menjëherë kanë organizuar punën me qëllim identifikimin dhe kapjen e tij.

Si rezultat i veprimeve të shpejta profesionale, është bërë identifikimi i drejtuesit të mjetit, shtetasi E. N., 45 vjeç, banues në Tiranë, dhe shoqërimi i tij në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 dhe është testuar drager dhe me aparatin drogë-testues dhe ka rezultuar se e drejtonte automjetin nën efektin e alkoolit dhe lëndëve narkotike.

Në përfundim të veprimeve procedurale, u bë arrestimi në flagrancë i këtij shtetasi, për veprat penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”, dhe Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ndaj tij, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Gjithashtu, këtij shtetasi iu pezullua leja e drejtimit për 24 muaj, iu zbritën 15 pikë nga leja e drejtimit dhe iu vendos masa administrative 35.000 lekë të rinj.

Policia Rrugore e Tiranës apelon për zbatim me rigorozitet të rregullave të qarkullimit rrugor, dhe fton qytetarët të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin pa pagesë 112 çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *