Një 78-vjeçare është aksidentuar ditën e djeshme në bulevardin “Zhan D’Ark” e cila si pasojë është dëmtuar, fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën.
Bëhet e ditur se autori është një 60-vjeçar, i cili pas kryerjes së testit të alkoolit ka rezultuar se drejtonte automjetin nën efektin e pijeve alkoolike, në masën 0.15 mg/litër.
Njoftimi i Policisë:
Në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale, ku shfaqet një automjet, drejtuesi i të cilit aksidenton një shtetase, ju sqarojmë se:
Specialistët e Qarkullimit Rrugor kanë identifikuar drejtuesin e mjetit dhe kanë referuar materialet në Prokurori, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, në ngarkim të shtetasit S. Ll., 60 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas, ditën e djeshme, në bulevardin “Zhan D’Ark”, shtetasi S. Ll., duke lëvizur prapa me mjetin e tij, për të parkuar, ka aksidentuar shtetasen K. H., 78 vjeçe, e cila si pasojë është dëmtuar, jashtë rrezikut për jetën.
Pas kryerjes së testit të alkoolit ka rezultuar se shtetasi S. Ll. drejtonte automjetin, nën efektin e pijeve alkoolike, në masën 0.15 mg/litër.
Policia Rrugore e Tiranës apelon për zbatim me rigorozitet të rregullave të qarkullimit rrugor dhe fton qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin pa pagesë 112, çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.