Kreu i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi, thotë se Shqipëria nuk ka nevojë për urrejtje, as për fanatizëm apo radikalizëm politik, duke iu referuar përplasjeve në Elbasan.
Ai jep mesazhin se zgjedhjet mbeten një garë, dhe se nuk duhet parë si një luftë për ti marrë jetën njëri-tjetrit. Patozi e mbyll mesazhin e tij duke apeluar për qetësi.
Kjo thirrje vjen pas incidentit të ndodhur në kremtimin e Ditës së Verës në Elbasan. Sapo kryeministri Edi Rama hyri në bulevardin kryesor, një grup personash të cilët ishin mbledhur për të pritur kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kanë thirrur “Rama ik”. Kjo ka sjellë edhe reagimin e mbështetësve të socialistëve, duke krijuar një situatë të tensionuar.
Statusi
SHQIPËRIA NUK KA NEVOJË PËR LUFTËRAT E TYRE FALSO
Shqipëria nuk ka nevojë për urrejtje, as për fanatizëm apo radikalizëm politik. Boll me këtë retorikë revolucionare, që të ngjeth mishtë, edhe pse të gjithë e dinë se është e rreme, thjesht sa për të kaluar 25 prillin.
Zgjedhjet janë garë, sepse nuk po shkojmë në luftë për t’u vrarë me njëri-tjetrin.
Shqipëria ka nevojë për qetësi, edhe nëse dashuria mund të mungojë përkohësisht. Por mbi tē gjitha për logjikë dhe arsyetim, që vlen gjithmonë si reflektim për popujt e qytetëruar pas krizash të gjata.
Aq më tepër, kur kemi parë jo rrallë se si puthen dhe flirtojnë pastaj pikërisht ata, të cilët kacafyten dhe qisin pushkë me fishekë manovre kundër shoshoqit, vetëm atëherë kur afrohet data e zgjedhjeve.