Sa i takon përplasjeve që ndodhën dje pranë zyrave të partisë ‘Fryma e Re Demokratike’, Policia e Shtetit ka shpallur në kërkim 2 persona. Policia bën me dije se po punohet për kapjen e Agim Hoxhajt, 55 vjeç dhe Afrim Sufajt, 46 vjeç, pasi kanë hyrë në godinë pa autorizim, duke kundërshtuar punonjësit e policisë.
“Më datë 13.03.2021, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, dhe punohet për kapjen e shtetasve A. H., 55 vjeç dhe A. S., 46 vjeç, sepse më datë 12.03.2021, në rrugën “Abdi Toptani”, kanë hyrë të paautorizuar në një godinë, duke kundërshtuar punonjësit që kryejnë një detyrë shtetërore ose një shërbim publik, të cilët kanë qenë në ruajtje të objektit. Po punohet për kapjen e shoqërimin e tyre. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.
Në selinë e drejtuar nga Sali Shehu, ka mbërritur një letër ku kërkohej që godina të lirohej sepse marrëveshja me Bashkinë ka mbaruar dhe brenda 10 ditëve godina duhet të lirohej. Një shkresë e ngjashme ka shkuar dhe për disa parti të tjera.
Bashkia pretendon se godina është në pronësi të saj, dhe FRD nuk mund të përfitojë seli nga pushteti vendor, sepse nuk plotëson kriterin ligjor. Kjo ka shkaktuar tensione, pasi Policia Bashkiake ka bllokuar hyrjen e saj qendrore. Anëtarët e FRD, kreu i saj dhe militantë nuk kanë pranuar të dalin nga godina dhe janë ngujuar atje. Më pas shkoi dhe presidenti ku pati dhe konfrontime.