Përplasja tek Kushtetuesja/ Zaçaj s’e liron zyrën, Gjykata e Lartë hap garën

Gjykata e Lartë njofton se ka nisur procedurat për zëvendësimin e Holta Zaçajt, anëtare e Gjykatës Kushtetueses e cila mban edhe postin e kryetares. Ndërkohë që në krahun tjetër vetë Holta Zaçaj, njoftoi të martën se nuk ka ndërmend të njohë 10 marsin e vitit 2025 si datë të përfundimit të mandatit të saj si anëtare, porse sipas llogaritjeve të vetë asaj “si afat fundor i ushtrimit të detyrës do të duhet të konsiderohet fundi i vitit 2025”.

Ajo bëri të ditur gjithashtu se parashikon t’i drejtohet Komisionit të Venecias për një opinion mbi rastin. Disa orë më vonë, dje në mbrëmje, në faqen e Gjykatës Kushtetuese u publikua dhe kërkesa. Në deklarimet e veta publike, Gjykata e Lartë, e cila dhe e ka emëruar zonjën Zaçaj, nuk ka lënë asnjë hije dyshimi për përfundimin e mandatit në 10 mars të vitit të ardhshëm.

Zbardhet letra/ KLIKO KETU për të lexuar kërkesën e Holta Zaçajt drejtuar Komisionit të Venecias. I drejton pyetjen, kur mbaron mandati i saj në mars apo dhjetor 2025

Njoftimi i plotë nga gjykata e Lartë:

NJOFTIM për hapjen e procedurës së aplikimit për anëtar të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë

Bazuar në nenin 125, pika 1 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, që përcakton kompetencën e Gjykatës së Lartë për zgjedhjen e tre anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, në nenin 7/ç, pika 1 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, ndryshuar me ligjin nr. 99/2016, që parashikon procedurën e zgjedhjes nga Gjykata e Lartë, si dhe në nenin 26, pika 2 të ligjit nr. 98/2018 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, kryetari i Gjykatës së Lartë, pas njoftimit të vendit vakant nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese, ka detyrimin të shpallë hapjen e procedurës së aplikimit për anëtar të Gjykatës Kushtetuese.

Neni 125, pika 6 i Kushtetutës parashikon se Gjykata Kushtetuese përtërihet çdo 3 vjet me një të tretën e saj. Përtëritja e përbërjes së Gjykatës Kushtetuese është një proces kushtetues, ku përfshihen tre organe emërtese, Presidenti, Kuvendi dhe Gjykata e Lartë, që zgjedhin çdo tre vjet, përkatësisht, nga një anëtar të kësaj gjykate. Për të garantuar përtëritjen e rregullt të Gjykatës Kushtetuese, ky proces është i detyrueshëm për t’u kryer në kohë nga tre organet e emërtesës, me qëllim shmangien e çdo krize a tensioni, që mund të cenojë legjitimitetin dhe funksionimin normal të vetë Gjykatës, si autoriteti më i lartë, që interpreton në mënyrë përfundimtare Kushtetutën.

Për shkak të rëndësisë që ka përtëritja në mënyrë të rregullt e të vazhdúeshme e përbërjes së Gjykatës Kushtetuese, në ndryshimet kushtetuese të vitit 2016 ligjvënësi kushtetues i kushtoi një vëmendje të veçantë realizimit në kohë të procesit, duke parashikuar që disa anëtarë të Gjykatës Kushtetuese të mos zgjidheshin me mandat të plotë. Për këtë arsye, në nenin 179 të Kushtetutës u sanksionua një skemë e qartë për përtëritjen kalimtare, sipas të cilës kufizohej mandati 9 vjeçar i gjyqtarëve që do të zëvendësonin dy gjyqtarë, mandati i të cilëve do të përfundonte në vitin 2017 dhe 2020, ndërkohë që mandati i shtatë gjyqtarëve të tjerë kushtetues përfundonte rregullisht në vitet e përtëritjes, sipas radhës, dy gjyqtarë në vitin 2016, dy gjyqtarë në vitin 2019 dhe tre gjyqtarë në vitin 2022. Nëpërmjet vendosjes së mekanizmit të kufizimit të mandatit të dy gjyqtarëve që do

të pasonin ata që nuk ishin zgjedhur në vitin e rregullt të kryerjes së përtëritjes, ndërkohë që për shtatë gjyqtarët e tjerë përcaktohej viti i përfundimit të mandatit 9 vjeçar, realizohej rregullisht përtëritja e Gjykatës Kushtetuese në çdo tri vjet e një të tretës së anëtarëve të saj. Një zgjidhje e tillë konfirmoi përtëritjen e Gjykatës Kushtetuese si një detyrim kushtetues që prevalon ndaj kohëzgjatjes 9 vjeçare të mandatit të gjyqtarit. Ky standard kushtetues është qartësuar edhe në nenin 86, pika 4 të ligjit nr. 8577/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, ndryshuar me ligjin nr. 99/2016, ku përcaktohet kryerja e përtëritjes për fazën kalimtare (deri në vitin 2022), ndërkohë që pas kësaj periudhe, çdo tri vjet (viti 2025, 2028, 2031 e në vijim) përtëritja kthehet në normalitet.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *