‘Përplasje’ në Ujësjellësin e Vlorës, Leli shkarkon drejtorin, Leskaj refuzon të lirojë zyrën

Ditën e sotme ka pasur tensione dhe përplasje mes zyrtarëve të Bashkisë se Vlorës dhe Ujësjellësit. Si pasojë e këtij konflikti përfunduan në Komisariatin e Vlorës, ish-drejtori i Ujësjellësit Shkëlqim Leskaj dhe të tjerë ndërkohë që kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli, ka shkuar për të sqaruar ngjarjen.

Mësohet se kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli ka shkarkuar drejtorin e ujësjellësit Shkëlqim Leskajn prej katër ditësh, por ky i fundit refuzon që të lirojë zyrën. Sipas drejtorit të Ujësjellësit, shkarkimi i tij është i paligjshëm, pasi ndërmarrja është aksioner dhe të drejtën për shkarkimin e tij e ka vetëm bordi ekzekutiv.

Sot pranë zyrës së drejtorit të Ujësjellësit, ka shkuar bordi drejtues, kryebashkiaku dhe nënkryetari, duke i kërkuar të lirojë zyrën pasi është i shkarkuar. Por pikërisht në këtë moment Shkëlqim Leskaj, ka njoftuar Policinë duke denoncuar se i kishin uzurpuar zyrën. Kështu të gjitha palët janë marrë në Komisariat për të dhënë sqarimet e tyre për përplasjen.

Dritan Leli gjithashtu ka ngritur akuzë për Shkëlqim Leskaj për vjedhje të librave të protokollit, vulës së institucionit dhe bëhet me dije se Leskaj ka firmosur 3 tendera: 400 mijë euro për sahatet e ujit, klorifikimin dhe uniformat për punonjësit e Ujësjellësit, megjithatë pritet që gjiithçka të konfirmohet me një njoftim zyrtar nga Policia. Po ashtu deri më tani nuk ka asnjë komunikim as nga numri një i Bashkisë.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *