Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca tha se mes saj dhe politikanit Erion Braçe nuk ka mosmarrëveshje duke shtuar se këtë të fundit e konsideron si person me vlera në Partinë Socialiste.
Në një intervistë për Euronews Albania ajo tha se Braçe nuk e ka personale me të por ka kritika ndaj bujqësisë në mënyrë që ky sektor të jetë sa më shumë i zhvilluar.
Më tej ajo theksoi se ky është viti më i mirë në bujqësi.
“Ne nuk kemi mosmarrëveshje dhe unë nuk e konsiderojë Braçen si opozitë, e konsideroj si vlerë të rëndësishme pjesë e PS. Patjetër që bujqësia ka shumë problematika të ndryshme dhe nevoja të mëdha.
Nuk mendoj se e ka personale me mua por ndaj sektorit dhe dëshirës për të parë më shumë zhvillim në këtë sektor. Ne këtë vit kemi dhënë mbështetjen më të madhe ndonjëherë dhe ky është një fakt i pakundërshtueshëm. Është viti më i mirë që ka pasur bujqësia ndonjëherë.”- u shpreh ajo