Meta reagon për herë të parë pas përplasjes me ambasadoren Yuri Kim

Nga Fieri, presidenti Meta ka folur me tone më të qeta lidhur me procesin e votimit në vend. Pas akuzave dhe thirrjeve të vazhdueshme për të votuar masivisht, Meta ka ulur tonet. Në një reagim për mediat, Kreu i Shtetit vlerësoi procesin e qetë të votimit në Fier, teksa apeloi që kjo të vijojë deri në fund të procesit të votimit, por edhe gjatë numërimit të votave. Ai e mbylli me mesazhin se mbarëvajtja e procesit në këtë formë, do të jetë kontribut për çeljen e negociatave të Shqipërisë në BE.

“Dua të përshëndes të gjithë qytetarët e Fierit, për pjesëmarrjen e mrekullueshme, por edhe për gjithë ecurinë e shkëlqyer të ditës së sotme këtu. Për fat të mirë, kjo po ndodh kudo në gjithë vendin. Është një nga ditët e të mrekullueshme të vendit tonë, pasi është dita kur jo vetëm të gjithë shqiptarët kanë mundësinë të tregojnë besimin që kanë te demokracia, besimin që kanë në vetvete për të qenë pjesë e kontributit të tyre për legjitimitetin e komisioneve të reja, por edhe duke treguar një mirëkuptim e bashkëjetesë demokratike, që duhet të vazhdojë deri në fund të procesit të votimit. Dhe më pas edhe në administrimin e gjithë këtij procesi, sa i takon numërimit.

I ftoj të gjithë qytetarët, jo vetëm ata që nuk kanë votuar, por edhe ata që kanë angazhime të tjera dhe nuk kanë pasur mundësi të qëndrojnë deri në fund, të rikthehen, të japin votën e tyre. Ftoj në mënyrë të veçantë të rinjtë e të rejat e vendit, që të tregojnë se Shqipëria ka nevojë për votën e tyre, energjinë e tyre, optimizmin e tyre. Mbarëvajtja e procesit në këtë mënyrë do të jetë kontribut për çeljen e negociatave të Shqipërisë në BE, përveçse do të na rikthejë në normalitetin e domosdoshëm të të gjithë institucioneve në vend”, tha Meta.

Presidenti Meta u pyet nga gazetarët, lidhur me incidentin që pati me ambasadoren e SHBA-së, Yuri Kim. Kreu i shtetit tha se marrëdhëniet me SHBA-në janë dhe do të mbeten të shkëlqyera.

“Marrëdhëniet e Ilir Metës me SHBA-në kanë qenë, janë dhe do mbeten të shkëlqyera. SHBA janë me popullin e Shqipërisë. Edhe ata do jenë të kënaqur që Shqipëria të çelë negociatat me BE-në. I ftoj shqiptarët që të votojnë alternativën që duan, dhe sidomos kandidatin që duan”, deklaroi Meta.

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *