Nënkryetarja e PD, Jorida Tabaku pranon se situata në PD është e vështirë, për shkak të “luftës” që po zhvillon Sali Berisha për të marrë drejtimin e selisë blu.
Gjithsesi, për Tabakun, luftën PD e ka me Edi Ramën dhe jo me Sali Berishën. Ajo deklaroi në emisionin “Zona Zero” në Top News se Kuvendi i datës 18 dhjetor, i thirrur nga Basha, do të ketë një pjesëmarrje masive.
Ndryshe nga Kuvendi i thirrur nga Berisha që do të mbahet në stadiumin “Air Albania”, Basha ka zgjedhur Pallatin e Kongreseve.
“Kemi një sfidë përpara nesh. Është një situatë e vështirë. Ishim në pozitë të vështirë që prej 26 prillit për shkak të vjedhjes së zgjedhjeve. Sot ndodhemi në një vështirësi të brendshme. E ardhmja e PD është tek të rinjtë. Ndërthurja e brezave në politikë është gjëja më e mirë. Dy javët në vijim, do të sqarohen dhe kalojnë vështirësitë që po kalon PD. PD do të jetë më e fortë. Luftën e kemi me Edi Ramën.
Më 11 dhjetor do të ndodhë një aktivitet i Sali Berishës me mbështetës të tij. Më 18 është Kuvendi Kombëtar i PD. Ai që ka forcën dhe legjitimitetin për të marrë vendime. Ka një konfirmim për pjesëmarrjën shumë të madh. Do jetë një Kuvend shumë i rëndësishëm i PD, do përcaktohet strategjia për të ardhmen e PD-së. Kuvendi i datës 18 do të mbahet në pallatin e Kongreseve”, tha Tabaku
/Priza.al/