Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi tha se është e rëndësishme që kryetarët e zgjedhur të komunave në veri të fillojnë sa më parë me ofrimin e shërbimeve për qytetarët.
Këto komente Bislimi i ka bërë gjatë një takimi me raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, shkruan REL.
“Si kryetarë të komunave, ata mund të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre vetëm nga ndёrtesat e komunёs, nga ku dhe shërbejnë për interesat e secilit qytetar pa dallim”, ka thënë Bislimi.
Bislimi këtë deklaratë e bëri pavarësisht se përfaqësuesit e shteteve të QUINT-it në Kosovë – SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar, Italisë, Gjermanisë dhe Francës – kërkuan nga Qeveria e Kosovës që të ndërmarrë hapa që do të çonin në shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.
Ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier, i cili mori pjesë në takim, tha se “ka një marrëveshje se shtensionimi i situatës duhet të ndodhë, por nuk e di se si do të ndodhë”.
“Ne besojmë se nuk është e nevojshme që kryetarët e zgjedhur [të komunave në veri] të punojnë çdo ditë në ndërtesat komunale. Për një afat të shkurtër, ne rekomandojmë që kjo të mos bëhet”, tha Hovenier.