Ministrja austriake e Mbrojtjes Claudia Tanner dënoi sot dhunën në veri të Kosovës dhe u bëri thirrje të dyja palëve që të de-përshkallëzojnë. Austria aktualisht po merr pjesë në misionin e KFOR-it me 273 ushtarë. Në deklaratën e Ministrisë së Mbrojtjes, theksohet se nga dhuna e mëparshme nuk është lënduar asnjë ushtar austriak.
“Për shkak të afërsisë gjeografike të Austrisë, ne jemi veçanërisht të interesuar për zhvillimin paqësor dhe të qëndrueshëm të të gjithë Ballkanit. Austria i ka vendosur vetes si qëllim që të mbështesë vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt BE-së dhe të neutralizojë të gjitha ndikimet e mundshme negative. Sidomos në Kosovë, rritja e sigurisë dhe stabilitetit politik është absolutisht e rëndësishme dhe për këtë arsye u bëj thirrje të dyja palëve të de-përshkallëzojnë”, tha Tanner në një deklaratë nga Ministria e Mbrojtjes.
Kontingjenti austriak thuhet se ka rritur masat e sigurisë dhe po monitoron zhvillimet e mëtejshme me automjete të blinduara dhe pajisje të përshtatshme të sigurisë personale. Ministria nënvizon se prioritet i ushtarëve të KFOR-it është që të kontribuojnë në përmirësimin e situatës dhe krijimin e një ambienti të sigurt, si dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë.