Një sasi prej 49 kilogramësh kokainë u sekuestruan në portin e Durrësit. Droga ishte fshehur në një kontejner me banane që vinte nga Ekuadori, me destinacion Shqipërinë. Burime zyrtare të policisë thonë se ngarkesa vinte për llogari të një firme me qendër në Maminas, me administrator Selim Çekajn. Ky i fundit është babai i Arbër Çekajt, i dënuar me 14 vite burg për sasinë prej 613 kilogramë kokainë që u zbulua po në portin e Durrësit në vitin 2018, pasi vinte nga Kolumbia dhe ishte fshehur në një kontejner me banane.
Policia ka sekuestruar kontejnerin me banane në Portin e Durrësit, dhe ka arrestuar administratorin e firmës që posedonte kontejnerin, Selim Çekaj, 72 vjeç, babai i Arbër Çekajt me qendër në Maminas, i arrestuar po për drogë. Pas skanimit të kontejnerit të ardhur nga Ekuadori me bananet, ka rezultuar me pullë të kuqe dhe autoritetet doganore kanë kërkuar që të futej në magazinë. Por 72-vjeçari, i cili është administrator i firmës ECOALMAX, e hapur në 20 mars 2018, nuk ka pranuar që ajo të futej në magazinë, duke thënë se ai ka porositur vetëm bananet. Kjo ka bërë që autoritetet të hapin kontejnerin aty ku ishte duke zbuluar drogën e llojit kokainë.
“Gjejeni ju se kush e ka futur drogën, unë jam tregtar frutash”, mësohet të jetë shprehur në polici Selim Çekaj. Ndonëse Selim Çekaj nuk ka pranuar kokainën në kontejner, ai është arrestuar. Arrestimi i tij ka ndodhur gjatë operacionit të koduar ‘Mersin” që ka mbajtur emrin e portit në Turqi, nga ku është nisur dhe anija me kontejnerët e bananeve ku fshihej kokaina. Kjo çështje ka qenë nën vëzhgim nga autoritetet shqiptare prej një muaji.
Në 15 shtator të vitit 2020, Gjykata Kundër Krimit dhe Korrupsionit dënoi me 14 vite burg Arbër Çekajn, të akuzuar për sasinë prej 613 kg kokainë. Gjithashtu togat e zeza dënuan me 8 vite e 8 muaj burg, shoferin e kamionit që transportoi kontejnerët nga Porti i Durrësit drejt kompanisë “Arbri Gardën”, Armando Pezakun, ndërsa menaxheri i kompanisë Donaldo Lushaj u dënua me 10 vite e 8 muaj burg.
Prokuroria akuzoi Çekajn, si organizator të trafikut të kokainës nga Kolumbia në Shqipëri. Lënda narkotike u zbulua në shkurt të 2018-s në Maminas, pasi ishte fshehur në kontejnier me banane që ishin porositur nga Çekaj. Gjatë një seance, Arbër Çekaj është shprehur se prokuroria dhe policia urdhëruan ndërprerjen e operacionit, me qëllim fshehjen e trafikantëve të vërtetë, duke mohuar akuzat.
“Nuk jam trafikant droge. Duke më arrestuar mua, policia, organi i akuzës bënë një akt të paprecedentë. Deshi të më faturojë mua një gjë që nuk është e imja, që të shpëtohen trafikantët e vërtetë”.