Rreth 4.400 fluturime janë anulluar në të gjithë globin, ku 2500 prej tyre përfshijnë SHBA. Informacioni u bë publik nga faqja e gjurmimeve të fluturimeve FlightAware. Nga anulimet në SHBA, më shumë se 1000 janë nga aeroportet O’Hare dhe Midway të Çikagos.
Shkak për anullimin e tyre është bërë pandemia, pasi personeli është infektuar me Covid, ndërsa disa të tjerë si pasojë e motit të keq.
“Fluturimet e sotme janë anuluar pasi stafi është infektuar me COVID, por edhe për shkak të motit. Ne kemi kontaktuar me pasagjerët për t’iu thënë nëse fluturimet e tyre do anulohen për t’u dhënë kështu kohë për të rezervuar një datë tjetër ose për të bërë plane të tjera” tha United Airlines në një deklaratë.
Fluturimet kanë filluar të anulohen që prej Krishtlindjeve. Nga 24 dhjetori, më shumë se 12.000 fluturime janë anuluar në SHBA.
Linjat ajrore janë përpjekur të tërheqin ekuipazhin me pagesë shtesë për të trajtuar mungesat e stafit. Por sindikatat thonë se punëtorët kanë frikë të kontraktojnë COVID ose duhet të merren me pasagjerë të zemëruar.
SHBA po përballet me një rritje të rasteve me COVID për shkak të përhapjes së Omicron. Qyteti i Nju Jorkut ka shënuar rekord rastesh me virus pavarësisht vaksinimit të lartë të qytetarëve.
/Priza.al/