Përurimi i pediatrisë së re, Rama: QSUT do kthehet në kompleksin më modern të rajonit

Kryeministri Edi Rama tha se QSUT do të kthehet në kompleksin më të madh dhe modern në rajon, duke shtuar se brenda këtij mandati do përmbyllet çdo pjesë e spitalit.

Gjatë përurimit të pediatrisë së re, kreu i qeverisë deklaroi se kur gjërat bëhen nga e para mund të bëhen edhe më mirë se jashtë shtetit.

Kush punon më shumë, kush shërben më shumë, kush kryen më shumë ndërhyrje, sipas setit të kritereve të performancës, sigurisht paguhet më shumë. Dhe i gjithë seti i të ardhurave kalojnë përmes kësaj strukture të re që u jep trupave shëndetësor pushtet vendimmarrës. Trupa dhe kapitali njerëzor kthehet nga një trupë e cila pret me gojën hapur nga lart nga qeveria, nga ministria, në një trupë që udhëheq procesin dhe e kthen ministrinë dhe qeverinë në mbështetëse dhe garante të sistemit. Jo vetëm të rrisim ne pagën bazë, por t’i japim mundësinë sistemit të bëjë diferencimin. Paga bazë nuk bie më poshtë, më lart ngjiten ata që i japin më shumë sistemit për shkak të aftësisë së tyre. Është një sistem i tërë pikëzimi sipas performancës që sjell te mjeku të ardhura më të larta në raport me kolegun e tij.

Kjo do të sjellë racionalizimin e burimeve financiare. Në momentin kur janë mjekët e kësaj strukture, së bashku me drejtuesit, që përcaktojnë barnat që ka nevojë kjo strukturë, edhe shpenzimet shkojnë drejt një racionalizimi maksimal. Jo shumë vite më parë kishim stoqe ilaçesh që nuk përdoreshin, dhe kishim mangësi dramatike në ilaçe të nevojshme. E gjitha lidhet me porosi klienteliste, sipas distributorëve, që kishin lidhje me ministrinë e Shëndetësisë dhe për mik, për parti, për ryshfet, balanca e furnizimit ishte jashtë kontrollit. Puna këtu vazhdon. Mua më vjen mirë që sipas parashikimeve tona, brenda këtij mandati përmbyllim çdo pjesë të QSUT-së që ka nevojë të hyjë në këtë standard. QSUT kthehet në kompleksin më të madh dhe më modern të rajonit, jo të Shqipërisë.

Dikush këtu kur po shikonim sallat tha që këtë strukturë nuk e kemi parë as jashtë shtetit kur kemi shkuar dhe ka një arsye, kjo është mundësia e të qenit më mbrapa, se jashtë shtetit i kanë bërë me kohë. Kur gjërat bëhen nga e para mund ta bësh më mirë se jashtë shtetit. Flasim me strukturat që janë atje prej kohësh. Çdo vit do bëjmë një rritje plus të pagave, ambicia është të shkojmë në 40 % plus. Më vjen shumë mirë që arritëm edhe këtë vit të mendojmë edhe për aspektin estetik, duke patur jo më ato Micky Mouse-t që duket sikur kanë dalë nga makthet e fëmijëve, të dalë nga duart e amatorëve që gjenden aty pranë për të zhgarravitur muret”, tha Rama.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *