Në segmentin Thumanë-Kashar qytetarët duhet të paguajnë një tarifë prej 2.1 euro, ndërsa të tjera rrugë do të bëhen me pagesë.
Zëvendësministrja e Infrastrukturës Enkeleda Muça bëri me dije në Komisionin e Ekonomisë se pritet të nënshkruhen kontratat për 3 segmentet e tjera pasi të jenë shpallur fituesit.
“Segmenti Milot-Thumanë është shpallur fituesi dhe jemi në fazën e negocimit të kontratës. Për Milot-Balldrenin jemi në një fazë procedure për përzgjedhjen e projektimit ndërtimit, operimit, mirëmbajtjes dhe transferimin e segmentit. Për Balldren-Muriqanin jemi në fazën e studimit të fizibilitetit. Në lidhje me segmentin Kashar-Pezë-Lekaj është shpallur fituesi jemi në fazë negocimi dhe shumë shpejt do të nisin punimit dhe për Lekaj-Fier është shpallur fituesi dhe jemi në fazën e negocimit të saj. Të gjitha do të ketë një rrugë alternative sepse jemi në Partneritet Publik Privat. Do të jenë me të njëjtën formulë si Thumanë-Kashar, dhe do të jenë me koncesion. Do të jenë me pagesë por do të ketë rrugën alternative gjithmonë në përdorim”, tha Muça.
Ndërsa për tre akset që janë shpallur fituesit e koncesioneve vlera e investimit është 839,4 milionë euro, dhe për të tre projektet afati i koncesionit është 35 vite.
Ndërkohë aksi Milot-Thumanë me gjatësi 13.5 km do të kushtojë 44,6 milionë euro pa TVSH dhe do të ndërtohet nga bashkimi i Përkohshëm i Shoqërive “Gener 2”, “Illyrian Consulting Engineers” dhe “I.D.K- Konstruksion”.