Kryeparlamentarja Lindita Nikolla ka reguar në lidhje me 114 vjetorin e Kongresit të Manastirit, ku u unifikuar Alfabeti i gjuhës shqipe. Nikolla shkruan se Unifikimi i Alfabetit i parapriu shpalljes së pavarësisë vendit tonë.
Po ashtu, Nikolla thekson se sot Abetarja e unifikuar, është një hap drejt fuqizimit të rolit të shkollës dhe në konsolidimin e gjuhës, kulturës dhe qytetërimit shqiptar.
Postimi i plotë:
Kongresi i Manastirit ose Kongresi i Alfabetit, i cili u mbajt nga 14-22 nëntor 1908, ishte sa produkt logjik i ngjarjeve, ashtu edhe paraprirës i zhvillimeve të pritshme të Shqipërisë.
Vendimi i dijetarëve shqiptarë për unifikimin e Alfabetit të gjuhës shqipe nuk ishte thjesht një akt iluminist, por shprehje e Rilindjes Kombëtare dhe një veprim që synonte të forconte unitetin kombëtar dhe lëvizjen për pavarësi.
Unifikimi i Alfabetit i parapriu aktit të Ismail Qemalit dhe patriotëve shqiptarë për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. “Lufta me kartë e me pëndë” i ndriçoi rrugën “luftēs me barut e me armë”.
Unifikimi i Alfabetit kontribuoi në mbrothësinë dhe zhvillimin e gjuhës shqipe si një tipar thelbësor i kombit shqiptar, si një organizëm bashkues dhe faktor i identitetit dhe kohezionit kombëtar.
Sot Abetarja e unifikuar është një hap drejt fuqizimit të rolit të shkollës dhe Alfabetit në konsolidimin e gjuhës, kulturës dhe qytetërimit shqiptar.