Studimet tregojnë se truri ynë fokusohet më shumë në gjërat negative, dhe padyshim në botën e sotme ka shumë negativitet, gjë që na jep më shumë gjëra për të stërmenduar. Ironikisht, disa nga mekanizmat e sjelljes që përdorim për të shpërqendruar mendjen nga mendimet negative na bëjnë të ndihemi me humor edhe më të keq. Përfundojmë duke e komplikuar problemin, të cilin në mënyrë të pandërgjegjshme po përpiqeshim ta zgjidhnim.
Në vend që të mësojmë mbi këto sjellje të pakuptimta “na duhet të mendojmë se si t’i zëvendësojmë ato me aftësi sjelljeje më të vyera”, shprehet Susan Zinn, psikoterapiste në Santa Monica, Kaliforni. Kemi listuar disa nga mënyrat më të zakonshme sesi mund të përkeqësoni nervozizmin tuaj nëpërmjet aftësive të dobëta të të sjellurit dhe se çfarë duhet të provoni që të ndiheni më mirë.
Mos hani kur jeni të uritur
Uria është një gjë reale. Kur sheqeri në gjak është i ulët, ai shkakton çlirimin e hormoneve, duke përfshirë kortizolin, i cili lidhet me stresin. Heather Kent, një autore, psikoterapiste dhe specialiste e përmirësimit të traumave në Kanada thotë se “mungesa e energjisë na bën të ndihemi “të irrituar, të lodhur, të plogësht dhe të mërzitur… Ne kemi tolerancë më të ulët për gjërat”. Ajo shtoi se kjo gjë mund të ndikojë aftësinë e njerëzve për t’u përqendruar dhe për të vepruar, gjë që shton edhe më shumë frustrimin. Mundohuni të vendosni një alarm çdo disa orë për të mbajtur nën kontroll urinë ose për të programuar kohën e pushimit për të ngrënë, ndërmjet takimeve dhe mbledhjeve që keni në punë gjatë ditës
Shikimi i tepruar i televizorit ju ngarkon emocionalisht gjatë natës
Pikërisht atëherë kur duhet të qetësoni trurin dhe trupin për gjumë, ju ndiqni serialin tuaj të preferuar me skena krimi. Ndërkohë që për disa prej nesh këto skena nuk janë shqetësuese, për disa të tjerë mund të shkaktojnë irritim, madje edhe gjendje depresive menjëherë sapo ka mbaruar filmi. Kjo gjë mund të jetë veçanërisht problematike natën, duke ju shkaktuar një gjumë shqetësues. “Duke qëndruar zgjuar dhe të shpërqendruar nga televizori, qëndroni më gjatë pa gjumë dhe më pas ndiheni: “oh, sa keq, për pesë orë duhet të zgjohem”, shprehet Kent. “Kjo ndodh shumë më shpesh nga sa do të doja të shihja… Nëse flini pak, ditën tjetër do të ndiheni më të irrituar.” Për të zgjidhur këtë gjë, mundohuni të shihni shfaqje apo filma me përmbajtje më të qetë në mbrëmje dhe ruajini ndjenjat më të forta për në fundjavë. Në këtë mënyrë do të mbani në humor më të mirë gjendjen tuaj shpirtërore.
Qëndrimi mbyllur në shtëpi gjithë ditën
Mund të jetë e lehtë të lini orët e ditës të kalojnë – veçanërisht kur jeni duke punuar. Nëse po arrini në fund të ditës, ose të shumë ditëve dhe nuk keni nxjerrë jashtë shtëpisë as këmbët, ky zakon i pamend mund t’ju shkaktojë acarim.Zinn sugjeron një mënyrë të mbështetur në studime për të përmirësuar rutinën tuaj të mëngjesit dhe për të ulur nivelet e acarimit: brenda 30 minutave pasi jeni zgjuar, dilni jashtë shtëpisë për të bërë një shëtitje, duke u ekspozuar drejtpërdrejt me dritën natyrale. Për më tepër, ajo sugjeron që ta shtyni për disa orë pirjen e kafes, në vend që ta pini atë që herët në mëngjes sapo jeni zgjuar. Duke qenë se kafeina është një stimulues, ajo mund t’ju shkaktojë nervozizëm dhe stres të menjëhershëm. Në vend të kafes, ngrihuni nga shtrati, merrni pak vitaminë D, filloni ditën mbarë dhe më pas pini kafen.
Kontrolli i menjëhershëm i njoftimeve të telefonit Zinn shprehet se njerëzit e kontrollojnë telefonin e tyre mesatarisht 50 herë në ditë. Ajo shton se pasi ka parë telefonin, ky zakon i merr një njeriu rreth 20 minuta që të rifitojë përqendrimin për t’iu rikthyer një pune që ishte duke bërë. Kjo gjë mund të ndikojë në menaxhimin e problemeve dhe ju bën të ndiheni të mërzitur, gjë që ju ngarkon më tepër irritim. Sipas Timothy Jeider, psikiatrist në ‘Nevada Mental Health’: “Pasi kemi hyrë në tunelin e rrjeteve sociale, qortojmë veten për shkak të shpërqendrimit dhe shpërdorimit të kohës, gjë që na frustron, minon fokusin dhe produktivitetin, ndaj më pas kërkojmë të gjejmë një tjetër shpërqendrim që të na largojë nga frustrimi dhe ky cikël përsëritet vazhdimisht e vazhdimisht. Zgjedhja më e lehtë – dhe po ashtu më e vështirë – është të largojmë telefonin në një dhomë tjetër”. Po ashtu, mund ta vendosni telefonin në modalitetin “mos shqetëso” ose të heqim opsionin e shfaqjes së njoftimeve në ekran.
Lajmet në mediat sociale
Kalimi i kohës në rrjetet sociale është i paevitueshëm. Të gjitha keqinformimet, teoritë e konspiracionit dhe njoftimet e pandemisë në lajmet që lexojmë në rrjetet sociale mund të na marrin një energji mjaft të madhe mendore dhe mirëqenieje. Sipas Kent “E gjitha kjo na çon në ndjenja të mëdha irritimi, agresiviteti dhe inati dhe për shkak të pandemisë kemi tendencën të jemi të varur nga ai cikël lajmesh”. Emocionalisht, lajmet që të shterojnë energjitë vijnë jo vetëm nga telefoni, por edhe nga televizori apo radioja. Madje edhe historitë e Instagramit apo TikTok-ut na bombardojnë me lajme. Për të thyer efektet negative kufizoni shikimin e lajmeve në një ose dy herë në ditë. Mënyra më e mirë për t’ia dalë mbanë, sipas Kent, është që të dëgjojmë lajmet vetëm në mëngjes dhe në darkë dhe t’i shmangim ato gjatë ditës.