Sezoni i verës përveç temperaturave të larta, në plazhin e Darzezës në Fier është shoqëruar edhe me pickimet e të ashtuquajturit “peshku harabel” si dhe të gaforreve duke u kthyer në një rrezik për pushuesit dhe vizitorët që zgjedhin të frekuentojnë këtë plazh ranor. Kontakti me këtë lloj peshku shkakton dhimbje të forta, madje dhe paralizë të pjesshme të trupit për 24 orë.
Janë gjallesa që me anë të pickimit infektojnë njeriun, dhe në mungesë të një ndihmë të shpejt, mund të shkaktojnë fatalitete. Mjekja e Qendrës Shëndetësore verore në Darzezë, Inva Sulejmani tregon se këtë vit sezonal ka patur një fluks të shtimit të rasteve të pickimeve nga peshku harabel, sidomos tek fëmijët. “Problematikat më të mëdha që kemi patur në këtë sezon veror janë rastet me fëmijët e vegjël, sidomos pickimi nga peshku që njihet në këtë zonë si peshku harabel, pickimet nga gaforret”, tha mjekja.
Ajo thekson se në këto ditë të nxehta nuk duhet të mungojë vëmendja e qytetarëve për kujdesin ndaj higjienës dhe temperaturave të larta. “Problem tjetër i madh mbete goditja nga nxehtësia, sidomos për moshat e mëdha dhe për këtë rekomandojmë që të mos ekspozohen në diell nga ora 12:00-16:00”, thekson Sulejmani.
/Priza.al/