Policia e Tiranës i është përgjigjur me një shkresë zyrtare Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit (SPAK”, ku e informon se ish-kryeprokurori Adriatik Llalla nuk është gjendur.
“BalkanWeb” raporton se pavarësisht kërkimeve, çdo tentativë e policisë ka rezultuar e pasuksesshme. Policia thotë se ka bërë të gjitha verifikimet me metoda speciale, por nuk e ka gjetur, ndaj dhe i ka kërkuar SPAK të nisë procedurat për ta shpallur Llallën në kërkim ndërkombëtar.
Nga verifikimet, Llalla rezulton të jetë larguar jashtë vendit pak ditë para shpalljes së vendimit të gjykatës për ta dënuar atë me dy vite burg dhe për t’i konfiskuar pasurinë, ku menjëherë pas kësaj ai u shpall në kërkim kombëtar.
Nga ana tjetër, SPAK është i detyruar të nisë procedurat për shpalljen në kërkim ndërkombëtar të Llallës, menjëherë pas marrjes së shkresës nga policia. Deri tani nuk rezulton të jetë bërë shpallja me kartelë të kuqe, por gjasat janë që brenda pak ditësh, emri i tij të futet në listën e të shpallurve në kërkim ndërkombëtar.
/Burimi: Balkanweb/