Studentë që kanë ndërmarrë një nismë përmes një peticioni, ku kërkojnë ndihmë financiare nga qeveria, paralajmërojnë se do të bojkotojnë mësimin kur të nisë vitit akademik, nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre.
Në një prononcim për mediat, një prej studentëve që do të dorëzojë dhe peticionin në Kryeministri, pohoi se tashmë Tirana, që është shpallur kryeqyteti europian i rinisë, po boshatiset. Ai tha se studentët duan ndihmë financiare nga qeveria.
“Kemi bërë një tentativë për t’i tërhequr vëmendje zotit kryeministër. Shpesh herë, siç e thatë dhe ju, kryeministri nuk i merr parasysh kërkesat. Organizon borde fiktive, që mund të vihen në dyshim nëse janë të sakta. zërin e studentëve e kemi parë gjithmonë se sa sukses kanë. Këtë vit bëhet dhe më e vështirë, pasi janë rritur çmimet e shportës.
Tirana, kryeqyteti evropian i rinisë po i dënon të rinjtë, po i largon duke mos i siguruar asgjë. Kjo nismë e jona është për t’i tërhequr vëmendje kryeministrit, seku ndodhemi ne. është nismë ligjore, jo radikale. Mund të kemi dhe organizime të tjera. Do bëjmë dakord me të tjerët, por në rrugë ligjore do dorëzojmë peticionin e mbi 6 mijë studentëve. Ka dy javë që është nisur peticioni. Është e pamundur që të nisë viti akademik këtë vit. Xhepat e studentëve janë bosh. Duke ditur falangat e Kryeministrisë dhe zjarrshuesit e protestave që i ka gjithmonë të tij në dispozicion, do ketë tentativa për protesta. Fillimisht është pak largpamëse që mund të ketë një dhjetor të tretë, por mos u ngatërroni kurrë me studentët në dhjetor.”, tha studenti.