Teatri Metropol do të çelë sezonin artistik me një premierë të quajtur “Pikaso dhe Ajnshtajn në një bar në Paris”. Komedia e shkruar nga Stiven Martin do të ngjitet ne skenë nga data 17-26 qershor nga regjisorja Armela Demaj, e cila ka bërë bashkë një kast aktorë dhe muzikantësh.
Në të interpretojnë aktorët Roerd Toçe, Klodjana Keco, Amri Hasanlliu, Sara Koçi, Erdet Miraka, Silva Brahimataj, Ermir Hoxhaj, Silvio Goskova, Aleksandër Kondi, Blendi Arifi dhe Kristjana Dodaj.
Në qendër të kësaj vepre është takimi komik midis dy gjenive, piktorin Pablo Picasso dhe shkencëtarin Albert Ajnshtajni, në lokalin “Lapin Agile” (Lepuri i shkathët), në Montmartre në vitin 1904. Është zgjedhur pikërisht kjo periudhë pasi të dy gjenitë jan në prag të zbulimit të ideve të tyre mahnitëse (Ajnshtajni, përpara se të botojë teorinë e tij të relativitetit në 1905 dhe Pikaso, para se të pikturojë veprën “Zonjat e Avinjonit” “Les Demoiselles d’Avignon” në vitin 1907).
“Bari në të cilin zhvillohen ngjarjet, është një bar që frekuentohej shpesh në Parisin e fillim 1900-ës, nga Picasso. Nuk e dimë në edhe Ajnshtajni, ka shkuar ndonjëherë aty, por në fantazinë e autorit, ka shkuar”, tha regjisorja Demaj. Ajo tregoi se në vepër, “dy gjenitë nuk ishin ende të njohur, pasi arritjet e tyre të mëdha nuk kishin mbërritur ende te publiku. Pasioni që secili ka për disiplinën e tij, njëri për artin dhe tjetri për shkencën, i bashkon dy gjenitë në një ballafaqim të fuqishëm. Ky ballafaqim ndodh në një bar të Parisit të viteve ’90, ku mblidhen kryesisht artistë të pa afirmuar ende. Ishin djem të rinj, me pasione të mëdha për atë që donin të arrinin, por ende nuk ishin të njohur. Dy gjeni që pavarësisht se ishin në fusha të ndryshme, njëri një art dhe tjetri në shkencë, gjejnë gjuhën e përbashkët duke ballafaquar pasionet e tyre”, u shpreh regjisorja.
Demaj tha se e zgjodhi këtë vepër pasi publiku ka nevojë për pak komedi në mënyrë që të frymëzohet për të ecur përpara. “Një ndër arsye pse zgjodha këtë vepër, është sepse publiku ka nevojë për Komedi pas dy vitesh frike. Janë personazhe frymëzues. T’i shohësh këta të dy në dimensionet e të rinjve që ende nuk janë afirmuar, ngjajnë me të rinjtë tanë që janë duke u përpëlitur, sidomos në dy-vjeçare e fundit që ishte shumë sfidues për të gjithë. Kjo Komedi të frymëzon që të kërkosh më tej”, u shpreh znj. Demaj.
Pjesë integrale e shfaqjes do të jetë edhe muzika, pasi ndër artistë të tjerë që frekuentojnë barin e një lagjeje të Parisit, do të jenë edhe dy muzikantë. “Muzika është zgjedhur që të jetë pjesë integrale e shfaqjes. Duke qenë se ngjarjet zhvillohen në një bar të thjeshtë të Parisit të fillim-shekullit ’20, ky bar frekuentohet nga njerëz të cilët nuk kanë të ardhura të mëdha ekonomike. Ka artistë dhe pjesë e klientëve kam menduar që të jenë edhe dy muzikantë, që është Gent Rrushi që është edhe formuluesi muzikor dhe Laura Hoxha që është këngëtare dhe këndon këtu muzikë të lehtë franceze të atyre viteve”, tha Armela Demaj.
Regjisorja e shfaqjes tha se aktorët janë në stade të ndryshme të karrierës së tyre, mirëpo e gjithë vepra është e karakterizuar kryesisht me energji rinore. “Duke jetuar dy vite në këtë luftë globale, secili nga ne nuk është më ai që ishte para dy vitesh. Ka të mirat e veta nëse e marrim dhe e shfrytëzojmë në art, por në aspektin njerëzor jemi më të brishtë sesa ishim më parë”, shtoi Armela Demaj.