Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka takuar ditën e sotme homologun e tij në Kosovë Xhelal Sveçlën.
Me anë të një postimi në rrjete sociale, Çuçi ka konfirmuar lehtësimin e lëvizjeve në dy anët e kufirit Shqipëri-Kosovë. Shtimi i pikës kufitare të Shishtavecit, aplikime online dhe leje qëndrimi unike janë risitë për sa i përket kalimit mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Çuçi konfirmoi dëshirën e krijimit të një fronti të përbashkët policie Shqipëri-Kosovë kundër krimit të organizuar.
Postimi i Çuçit:
Prishtinë – Takim me homologun tim në Kosovë, Xhelal Sveçla, me të cilin diskutova për vijimin e punës për konkretizimin e tre instrumentave të rëndësishëm të interesit të përbashkët të dy vendeve tona. S’do të ketë me radhë pritje nëpër sportele për shqiptarët andej e këtej kufirit që duan të pajisen me leje qëndrimi. Aplikim online dhe një leje qëndrimi unike. Po kështu do të ketë qarkullim të lirë për banorët përgjatë brezit kufitar të dy shteteve. Me rëndësi është gjithashtu edhe hapja e një pike të re kufitare në Shishtavec, për t’iu ardhur në ndihmë fluksit të shtuar të lëvizjes së njerëzve dhe mallrave mes Shqipërisë e Kosovës. Rikonfirmuam vullnetin e përbashkët për të thelluar më tej bashkëpunimin policor mes dy vendeve tona, në mënyrë që të jemi në një front kur është fjala për luftën kundër krimit të organizuar. Shqipëria dhe Kosova po hyjnë në një fazë të re për të adaptuar teknologjinë dhe inovacionin edhe në fushën e sigurisë. Avantazhet që krijojnë këto sisteme të reja do të aplikohen gjithashtu në pikat e kalimit kufitar për përpunimin e shpejtë të pasagjerëve dhe mallrave
/Priza.al/