Emisioni Stop në Tv Klan ka udhëtuar drejt Kavajës për problemin e zonjës Alma Teferiçi, edukatore në kopshtin nr.1 ose të quajtur kopshti “Hap pas Hapi”.
Bashkëshorti i zonjës shpjegon së gruas së tij i ka ardhur një urdhër transferimi në mes të muajit Prill, nga kopshti numër 1 në një çerdhe në Kavajë. Zonja nuk kishte bërë asnjë kërkesë për transferim, madje as nuk ishte pyetur apo informuar për këtë lëvizje të punës. Në 16 vite si edukatore nuk ka marrë asnjëherë vërejtje në punë.
Dhe këtë urdhër transferimi të bërë me vendim të kryetari të Bashkisë së Kavajës e ankimoi. Urdhri u anulua, por pak ditë më pas edukatorja Alma Teferiçi mori një shkresë, ku thuhej se transferohej nga kopshti nr. 1 në qytet në një çerdhe në fshatin Karpen, një transferim në shkelje, pa kërkesë dhe pa dëshiren e zonjës.
Bledar Teferiçi: Bashkëshortja ime Alma Teferiçi është edukatore në kopshtin “Hap pas Hapi” prej gati 16 vitesh. Në datë 11.4.2022 me urdhër transferimi numër 138, urdhërohet nga kryetari i Bashkisë Redjan Krali që ime shoqe nga edukatore në kopshtin numër 1 të kalojë kujdestare në sektorin e çerdhes të qytetit në Drejtorinë e Shërbimit Social pranë Bashkisë Kavajë. Në mënyrë të habitshme, të çuditshme, pa paralajmërim, pa konsultim dhe pa dijeninë tonë që normalisht duhet të ishim konsultuar më parë për një çështje të tillë. Gjatë kësaj kohe ne bëmë animimin duke u konsultuar me avokatët, bëmë animimin pranë Bashkisë Kavajë. Çuditërisht, po në datë 13 dhe 14 vjen shkresa në dorë të bashkëshortes në kopshtin “Hap pas Hapi”, vjen vërejtje me shkrim, ku thotë “vërejtje me shkrim për shkak të moskryerjes së detyrës funksionale”, kur ne kishim bërë një ankimim dhe prisnim përgjigje me shkrim konform rregullave dhe ligjeve. Datë 15.4.2022 shfuqizim i urdhrit të transferimit numër 138, cilësojnë rikthimin e zonjës Alma Teferiçi në kopshtin numër 1, pjesë agjencisë së arsimit parashkollor. Më datë 19 paraqitet në vendin e punës në kopshtin “Hap pas Hapi” një zonjë në pozicionin e kujdestares, e cila kishte marrë një urdhër transferimi nga çerdhja në kopsht. Deri në datë 27.4.2022 bashkëshortja vazhdon punën, por gjithmonën nën frikën, trysninë se mos kryhej një lëvizje e radhës.
Të gjitha këto lëvizje, bashkëshorti i edukatores dyshon se janë të qëllimshme që pas disa kohësh t’i largojnë gruan nga puna.
Bledar Teferiçi: Unë gjykoj që është e qëllimshme lëvizja që në një moment të caktuar të bëjmë suprimimin e vendit të punës dhe bashkëshortja të mbetet fare pa punë.
Gazetarja e emisionit Stop shkoi në kopshtin “Hap pas Hapi” për të takuar drejtoreshën, por kjo e fundit refuzoi që të komunikonte me gazetaren dhe nuk e hapi derën.
Prej andej, stafi i Stop udhëtoi drejt fshatit Karpen, aty ku zonja Alma Teferiçi do të transferohet në një çerdhe.
E pikërisht në këtë çerdhe në Karpen, punon vetëm një edukatore, e cila i bën të gjitha punët dhe kujdeset për 12 fëmijë. Ajo thotë se edhe asaj i ka shkuar një urdhër-transferimi për në qytetin e Kavajës, që mesa duket do të jetë kopshti ku punon edukatorja tjetër Alma Teferiçi. Por as kjo edukatore e fshatit Karpen nuk ka kërkuar transferim, madje shprehet e kënaqur me vendin e punës ku është.
Gazetarja: Sa vite keni, që punoni këtu?
Edukatorja: Unë kam 2 vite, kam hy për tre.
Gazetarja: A është e vërtetë, që ju ka ardhur një urdhër transferimi?
Edukatorja: Po!
Gazetarja: Për ku?
Edukatorja: Po nuk e di, më ka ardhë një urdhër transferimi, më duket në Kavajë, po nuk e di.
Gazetarja: A keni kërkuar ju transferimin?
Edukatorja: Jo, nuk e kam kërkuar!
Gazetarja: E keni pranuar ju transferimin?
Edukatorja: Për momentin unë ndihem mirë këtu ku jam, më pëlqen këtu ku jam, ku po punoj. Kopshtin e kam mirëmbajt, kam investuar e kam rregulluar, që të jenë kushtet sa më komode për fëmijët.
Gazetarja: Sa fëmijë keni?
Edukatorja: Po këtu kam 12 fëmijë.
Gazetarja: Punoni vetëm?
Edukatorja: Vetëm punoj! Vetë e mirëmbaj, sanitaren vetë e bëj, çdo gjë!
Për këtë çështje emisioni Stop kërkoi shpjegim nga Drejtoria Arsimore dhe kryetari i bashkisë, por askush nuk doli të mbrojë aktin e paligjshëm. /tvklan.al