Piramida e mikrofinancave/ Si është manipuluar me mbi 26 mijë kredi, dhe ku kanë shkuar mbi 63 milionë euro. Në krye ‘Fondi Besa’  

Institucionet mikrofinanciare në vend kanë disa vite që kanë dalë jashtë vëmendjes së institucioneve mbikëqyrëse shtetërore, kjo falë lidhjeve që aksionerë apo pronarë të tyre kanë edhe me politikën.

Por ndërkohë që aktiviteti i tyre është bërë tejet i dyshimtë, madje në qytete të caktuara ka nisur të shkaktojë problemet e para mes klientëve dhe këtyre institucioneve, duket se këto nuk kanë dhënë probleme për sektorin bankar.

Ky i fundit duket i lidhur ngushtë me IFJB-të, të paktën disa prej bankave kryesore, të cilat gjatë këtyre viteve kanë dhënë e marrë me këto institucione duke ndarë në mes fitime të majme.

Prej shumë muajsh “Priza.al” ka publikuar materiale pa fund mbi “hemorragjinë” e problemeve që kanë shpërthyer me kreditë e rreme dhe me manipulimin e të dhënave personale të mijëra qytetarëve.

Por ajo që është e çuditshme është fakti se janë miliona euro që janë zhdukur nga sektori bankar dhe IFJB-të të dhëna në formën e kredive, por që sipas disa skemave janë përfituar dhe më pas tjetërsuar nga vetë aksionerë apo pronarë të këtyre institucioneve.

Ndërkohë institucionet shtetërore nuk kanë vepruar deri tani, e madje nuk ka nisur asnjë hetim financiar që të kontrollojë atë çka prej muajsh po denoncohet nga qindra individë, të shpallur “klientë” pa vullnetin e tyre të IFJB-ve.

Institucione mikrofinanciare si “Fondi Besa”, “Iute Credit”, “NOA”, apo edhe të tjera si këto kanë pasur kulmin e probleme me klientët këtë vit, ku në adresë të tyre janë ngritur edhe dhjetëra padi.

Por për të mbuluar gjithë këtë veprimtari, këtë verë, dhe sidomos gjatë mbajtjes së kampionatit Europian, ne pamë se si reklamat dhe spotet e këtyre institucioneve piramidale shpërthyen duke joshur njerëzit që nga mikrokreditë për të blerë një celular apo kaluar pushime, deri tek investimet në bujqësi.

‘Plaga e majisur’ e mikrofinancave   

Referuar edhe të dhënave të publikuara në shtypin e shkruar dhe në portale profesionale që merren me sektorin bankar, deri vitin e kaluar shuma e portofolit të kredive me probleme të një pjese të IFJB-ve, arriti një nivel të konsiderueshëm.

“Shoqata Mikrofinanca Shqiptare” (AMA), vitin e kaluar do të bënte të ditur se, Institucionet financiare anëtare të “AMA”-s kishin shqyrtuar më shumë se 31 mijë kërkesa për shtyrje kredie.

Deri një vit më parë njoftohej se ishin miratuar dhe procesuar 26,129 aplikime, nga të cilat rreth 18 mijë janë kredi për individë dhe 8 mijë kredi për biznese.

Totali i portofolit të kredive të riskeduluara, referuar datës 30 prill 2020, ishte 7.87 miliardë lek ose rreth 63.5 milionë Euro dhe përbënte rreth 28% të portofolit total të kredive (Shifrat i përkasin Anëtarëve të Shoqatës, dhe jo gjithë Industrisë).

Shoqata e Mikrofinancës konfirmoi vitin e kaluar vështirësitë që po hasen aktualisht nga ekonomia shqiptare, ashtu si dhe pritshmëritë jo-pozitive për periudhën që po vjen.

Kjo gjë u konfirmua që me fillimin e këtij viti, ku vetëm në redaksinë e “Priza.al” shpërthyen denoncimet e qindra qytetarëve që fillimisht me “Fondin Besa” por më pas edhe me të tjera institucione mikrofinance kishin pasur të njëjtat probleme, mashtrimin dhe vjedhjen e të dhënave duke u bartur me kredi që nuk i kishin marrë.

Kriza aktuale rendoi edhe më tej kryesisht ato biznese të vogla e fermerë, të cilët nuk kanë fonde rezerve, kapacitete stoku, apo burime të mjaftueshme menaxhimi për t’u përballur të vetëm me mungesën e të ardhurave për të paguar këstet e kripura që u kërkoheshin për kreditë fiktive nga IFJB-të.

IFJB-të kërkojnë të përfshihen në fondin e garancisë

Qeveria shqiptare ka miratuar deri tani 2 fonde garancie, i pari prej 11 miliardë lekësh për pagat dhe i dyti prej 15 miliardë lekësh për kapital qarkullues e nevoja të tjera si pasojë e pandemisë. Por në të dy këto fonde, institucionet e mikrofinancës nuk janë përfshirë.

Deri vitin e kaluar, institucionet e mikrofinancës mbetën me shpresën që Qeveria Shqiptare do t’i përfshijë në skemat dhe instrumentet financiarë që deri më sot janë rënë dakord vetëm me sistemin bankar, për t’i dhënë një frymëmarrje të re mbështetjes së biznesit shqiptar dhe sfidave që ai po kalon në këto muaj të vështirë.

Sipas shoqatës së Mikrofinancave, mos-konsiderimi i institucioneve mikrofinanciare në këtë instrument të shtetit shqiptar, “përpos kufizimit të financimit për biznesin e vogël dhe fermerin shqiptar, mund të impaktojë edhe konkurrencën e drejtë në kredidhënie mes bankave dhe institucioneve të mikrofinancës, duke i vendosur të parat në një pozicion më të favorshëm dhe duke krijuar për pasojë një shtrembërim të pajustifikuar të tregut”.

Por duket se shteti shqiptar, edhe pse nuk ka vepruar deri tani, e ka nuhatur lojën e kredive false nga IFJB-të, që prej disa vitesh tashmë “bie erë” dhe ka fundosur me mijëra individë dhe familje të varfra shqiptare.

/Priza.al/

Ky artikull është ekskluziv i “Priza.al”, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Priza.al” dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *