Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ia atribuoi daljen e ulët në zgjedhjet e parakohshme lokale në veri, atmosferës “së frikësimit dhe shantazhit”.
Më 23 prill, në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, vetëm 3.47 për qind nga mbi 45.000 qytetarë me të drejtë vote, votuan për të zgjedhur kryetarët e rinj dhe përbërjet e dy asambleve komunale.
Zgjedhjet, në masë të madhe, u bojkotuan nga popullsia serbe, që është shumicë në këtë pjesë të Kosovës.
“Bojkoti ishte i imponuar nga fushata kërcënuese e Beogradit zyrtar dhe e veglave të tij kriminale në terren në veri. I falënderoj qytetarët për kurajën dhe qetësinë”, shkroi Kurti në Facebook.
Në zgjedhjet e 23 prillit nuk mori pjesë Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – e cila bëri thirrje për bojkotimin e procesit zgjedhor.
Prej vitit 2013 kur është formuar, Lista Serbe ka marrë mbi 90 për qind të votave nga komuniteti serb, në pothuajse të gjitha zgjedhjet e Kosovës.
Por, vëzhgues ndërkombëtarë kanë konstatuar vazhdimisht se votuesve u është bërë presion nga kandidatët dhe aktivistët e kësaj partie.
Sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit, ka fituar garat për kryetar komune në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq. Ndërkaq, në Zveçan dhe Zubin Potok kanë fituar kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës.
Përfaqësuesit e Listës Serbe pas publikimit të rezultateve preliminare, deklaruan se populli serb në Kosovë “nuk do të lejojë kurrë” që komunat me shumicë serbe në veri të vendit të udhëhiqen nga ata që kanë fituar “1 apo 2 për qind të votave” në zgjedhje.
Por, Kurti premtoi mbështetjen e ekzekutivit për të kryetarët dhe asamblistët e zgjedhur të dielën.
“Ata duhet të punojnë me përkushtim dhe të shërbejnë pa dallim. Qeveria do t’i përkrahë e ndihmojë. Sistemi institucional dhe shërbimet publike do të mund të funksionojnë më shumë e më mirë”, shkroi Kurti.
Kryetarët e rinj të katër komunave veriore kanë deklaruar për Radion Evropa e Lirë se sfida e parë me të cilën do të ballafaqohen do të jetë qasja në ndërtesat komunale. Kjo, pasi shumica e ndërtesave të komunave në veri, gjenden në objektet e njëjta me organet e përkohshme, që punojnë sipas sistemit serb.
Ata kanë kërkuar që Qeveria e Kosovës t’iu ndihmojë në tejkalimin e sfidave.
Për zgjedhjet për katër kryetarët e rinj në veri garuan dhjetë kandidatë dhe vetëm njëra prej tyre ishte nga komuniteti serb.
Gjatë procesit zgjedhor autoritetet nuk raportuan për ndonjë incident.
Komunat në veri mbetën pa kryetarë nga nëntori i vitit të kaluar, kur përfaqësuesit serbë në atë zonë dhanë dorëheqje nga vendet e tyre të punës, për shkak të mospajtimit me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe.