Një 62-vjeçar me origjinë shqiptare ka mbetur i plagosur pas një aksidenti rrugor në zonën e Lentarianon në Hania, Greqi.
Autoritetet policore raportojnë se drejtuesi i një fuoristrade, duke lëvizur me shpejtësi, ka humbur kontrollin e mjetit, u ngjit në trotuar dhe ka tërhequr zvarrë 62-vjeçarin që po shkonte të merrte biçikletën e tij të parkuar pranë trotuarit.
Pas aksidentit, drejtuesi i mjetit ka vazhduar pa ndalur, duke braktisur të plagosurin në vendin e aksidentit. 62-vjeçari u transportua me autoambulancën e EKAV-it në Spitalin e Përgjithshëm të Hanias, ku po trajtohet për dëmtime ortopedike.
Njësia e Qarkullimit në Hania është duke hetuar ngjarjen dhe ka shpallur në kërkim drejtuesin e mjetit për të zbuluar rrethanat dhe përgjegjësinë për aksidentin.