Është arrestuar nga policia Elfat Salihi, pasi plagosi Edis Reccaj në Shkodër. Ngjarje kjo e ndodhur disa ditë më parë në qytetin verior.
Sakaq, Elfat Salihi fshihej në një hotel, pronari i të cilit është vënë nën hetim nga policia.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Perash”, për kapjen e personave të shpallur në kërkim.
Operacioni, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”.
Kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar i plagosjes me armë zjarri të shtetasit E. R., 28 vjeç, ngjarje e ndodhur më datë 19.04.2022.
Procedohet penalisht pronari i hotelit ku fshihej personi në kërkim.Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” të DVP Shkodër, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, për vendndodhjen e një personi të shpallur në kërkim për plagosje me armë zjarri, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Perash”.
Si rezultat i këtij operacioni u bë i mundur lokalizimi i personit të kërkuar, i cili fshihej në një hotel në lagjen “Mark Lula”. Shërbimet e Policisë kanë bërë kapjen dhe ndalimin e autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasit E. S., 29 vjeç, banues në lagjen “Daniel Matlija”, Shkodër.
Ky shtetas dyshohet se më datë 19.04.2022, në lagjen Perash, ka plagosur me armë zjarri, për motive të dobëta, shtetasin E. R., 28 vjeç banues në lagjen “Partizani”, Shkodër.Në vijim të veprimeve u procedua penalisht në gjendje të lirë, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Moslëshimi i kuponit tatimor”, shtetasi Gj. D., 59 vjeç, banues në Shkodër, pronari i hotelit në të cilin fshihej shtetasi E. S. Shtetasi D. Gj. nuk ka kryer procedurat e nevojshme për regjistrimin dhe lëshimin e kuponit tatimor për shërbimin e ofruar në subjektin (hotelin) që administronte.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprat penale “Vrasja” e mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.