Është vënë në pranga autori i cili plagosi me armë zjarri, shtetasin Festim Axhami.
Sipas policisë, bëhet me dije se 56 vjeçari e ka qëlluar me armë zjarri 46 vjeçarin, ku më pas është larguar me automjetin e tij.
Mësohet se ngjarja ka ndodhur në fshatin Shtiqen të Kukësit, ndërsa kapja e autorit u bë e mundur pas disa minutash ndjekjeje.
Të dy këta persona janë konfliktuar për çështje prone, ndërsa i plagosuri ndodhet në spitalin rajonal jashtë rrezikut për jetën.
Njoftimi i policisë:
Plagosi me armë zjarri një shtetas dhe u largua, falë reagimit të shpejtë të Policisë, pas disa minutash ndjekjeje, kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar.
Sekuestrohet në cilësinë e provës materiale arma e zjarrit me të cilën autori dyshohet se kreu plagosjen.
Më datë 24.04.2022, rreth orës 15:42, në fshatin Shtiqen, shtetasi E. M., 56 vjeç, pas një konflikti të çastit për motive pronësie, ka plagosur me armë zjarri pistoletë, shtetasin F. A., 46 vjeç, banues në fshatin Shtiqen dhe më pas është larguar me automjet.
Menjëherë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kukës kanë shkuar në vendngjarje dhe falë reagimit në kohë dhe punës së mirorganizuar, bënë të mundur kapjen e autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasin E. M., 56 vjeç, banues në fshatin Shtiqen.
Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit tip pistoletë, që dyshohet se ka përdorur autori.
I plagosuri shtetasi F. A., ndodhet në spitalin e Kukësit, jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes dhe nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.