Një plagosje me armë ka ndodhur pasditen e sotme në Tiranë, ku mbeti i plagosur një punonjës i IMT-së.
Burime për median bëjnë me dije se Qani Muça është autori i cili plagosi me armë në bark 50-vjeçarin, Ilirjan Gavelli. Mësohet se motiv për ngjarjen të jetë bërë vendimi ndaj objekteve pa leje, ku punonjësi Gavelli kishte shkuar të zbatonte vendimin e marrë nga institucioni.
Dëshmitarët bënë me dije për BË se një prej plumbave ka përfunduar në një ‘Fuoristradë’ të parkuar para një lokali. Ndërkohë që aktualisht shtëpia e Muçës, pronarit të banesës është shembur.
Gavelli ndodhet në spital dhe po merr ndihmën mjekësore, si dhe autori është arrestuar.
Njoftimi i policisë:
Plagosi me armë zjarri një punonjës të I.M.T-së, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.1 kapin dhe shoqërojnë menjëherë autorin e dyshuar.
Policia sekuestron dhe armën e zjarrit pistoletë, e cila dyshohet se është përdorur gjatë kryerjes së krimit.
Më datë 12.08.2022, rreth orës 17:30, në kryqëzimin e rrugës “Todi Shkurti” me rrugën “Kristaq Capo”, shtetasi Q. M., 55 vjeç, dyshohet se ka plagosur me armë zjarri, punonjësin e i IMT-së, shtetasin I. G., 52 vjeç, i cili sapo kishte përfunduar ekzekutimin e një vendimi.
52 vjeçari është dërguar në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Autori është kapur nga shërbimet e Policisë dhe është shoqëruar në komisariat, së bashku me armën e përdorur gjatë kryerjes së krimit, për veprime të mëtejshme.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.