18-vjeçari Aldo Hasani që plagosi sot 3 bashkëmoshatarët e tij ditën e sotme në Shkodër është vetëdorëzuar në polici. Tre të rinjtë Xhejson Plepi 17 vjeç, Ersid Tula 16 vjeç dhe Kledis Hoxha 16 vjeç, ranë pre e plagosjes, pasi i ngacmuan autorit të dashurën në lokal. Mbi 18-vjeçarin rëndon akuza e plagosjes së rëndë me dashje.
Njoftimi i policisë:
Shkodër/Arrestohet autori i plagosjes së trefishtë, të ndodhur mesditën e sotme. Menjëherë pas ngjarjes së ndodhur mesditën e sotme, në lagjen “Qemal Stafa”, Shkodër, ku shtetasi A. H., pas një konflikti për motive të dobëta, plagosi me thikë tre bashkëmoshatarët e tij dhe u largua, shërbimet e Komisaritait të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Shqiponja të DVP Shkodër, janë vënë në ndjekje të autorit dhe kanë ushtruar kontrolle të shumta në ambiente të ndryshme, në akse rrugore dhe në lagjet e qytetit të Shkodrës.
Për shkak të presionit të Policisë dhe falë negociatave me familjarët e shtetasit A. H., u bë e mundur që rreth orës 20:00, ky shtetas të vetëdorëzohej në Komisariatin e Policisë Shkodër, për veprime të mëtejshme proceduriale. Shtetasi A. H. plagosi me mjet prerës thikë, bashkëmoshatarët e tij, shtetasit K. H., E. T. dhe Xh. P. Shtetasi Xh. P. ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve, ndërsa dy shtetasit e tjerë, pas ndihmës mjekësore, janë larguar në banesë. Materialet proceduriale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.