Një 16-vjecar është plagosur aksidentalisht mesditën e sotme në Tepelenë. I riu me inicialet O.V është qëlluar me armë nga shoku i tij me inicialet E.Gj në banesën e këtij të fundit. 16-vjecari është qëlluar me armën e shërbimit babait të shokut të tij, efektiv policie.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 10:20, ka shkuar në spital, për të marrë ndihmë mjekësore, shtetasi O. V., 16 vjeç, banues në Tepelenë.
Shtetasi O. V. ndodhej në banesën e shokut të tij, shtetasit E. Gj., 16 vjeç, dhe dyshohet se aksidentalisht është plagosur në këmbë prej tij me armën e shërbimit të shtetasit T. GJ., punonjës policie në DVP Gjirokastër (babai i shtetasit E. Gj.). 16-vjeçari O. V. është duke marrë ndihmë mjekësore dhe nuk ka rrezik për jetën.
Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër ka pezulluar nga detyra, punonjësin e Policisë, inspektor T. Gj., dhe Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ka nisur ndaj tij, hetimin disiplinor. Gjithashtu, AMP ka nisur hetimin administrativo-penal për këtë rast.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.