Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi, në seancën e sotme dëgjimore me Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, i është përgjigjur shqetësimit të deputetes Flutura Açka në lidhje me dy ngjarje të dhunshme nga të rinjtë, të ndodhura jashtë ambienteve të shkollave.
Kushi është përgjigjur se rastet e dhunës, edhe kur shfaqen jashtë ambienteve të shkollave, janë një shqetësim që merret shumë seriozisht nga institucionet arsimore. Edhe pse të rinjtë mund të shfaqin dhunë jashtë shkolle, përsëri ministria ka përgjegjësi shumë të madhe sipas saj. Kushi shtoi se edhe kur rastet e dhunës shfaqen me familjet e nxënësve, punonjësit psiko-socialë i trajtojnë këto raste.
“Sapo informohemi për raste të tilla ne ngremë grupe pune me psikolog, drejtues shkolle, mësues, për ta ndjekur bashkë me strukturat e policisë dhe me institucionet e tjera ligjzbatuese. E para në shkollat tona është shëndeti, siguria, mirëqenia e fëmijëve. Pavarësisht se ne jemi Ministri e Arsimit, ne kryesore kemi pikërisht garantimin e sigurisë së fëmijëve, mirëqenien e tyre, dhe sidomos brenda mureve të shkollës.” – u shpreh Ministrja Kushi.