Familjarët e Bajame Senaj që u plagos në Lushnjë akuzojnë familjen Hasalla për ngjarjen, por këta të fundit mohojnë të kenë lidhje. Shaip Hasalla ka mohuar të ketë ai lidhje ose djemtë e tij, pasi thotë se ata janë jashtë vendit.
“Policia ku ke qenë sot gjithë ditën. Ne dje ishim në gjyq për tokën, për ullinjtë dhe për djalin që na është vrarë. Mbaruam gjyqin në orën 15:00 edhe unë erdha në shtëpi. Sa erdha në shtëpi, erdhi policia tha ke vrarë njerëz. Thashë unë nuk di gjë se çfarë është bërë rrugës. Edhe s’di gjë.
Pyetje: Ke folur me djemtë në telefon?
Shaip Hasalla: Fola. Më mori çuni, jo unë. Më mori Armandi në telefon që tha çfarë ka ndodhur andej. Erdhi policia këtu, nuk e di se çfarë ka ndodhur, po thonë që është bërë një plagosje.
Pyetje: Pse Afrim Hasalla ju akuzon juve dhe djemtë tuaj për plagosjen e djeshme?
Shaip Hasalla: Nuk e di se dje u bë gjyqi, u mor vendimi edhe do të hakmerret prapë.
Pyetje: Çfarë vendimi u mor nga gjykata? Shaip Hasalla: Kastrioti u dënua 35 vjet. Afrim Hasalla 2 vjet burg. Marjus Hasalla 1 vit e 6 muaj. Brahimi është dënuar 200 mijë Lekë të reja për armëmbajtje pa leje.
Pyetje: Cilët janë këta personazhe?
Shaip Hasalla: Këta janë autorët që kanë vrarë djalin.
Pyetje: Vazhdoni të keni konflikte pas 2 vitesh me familjen tjetër Hasalla? Shaip Hasalla: Nuk kemi pasur asnjë lloj konflikti. Unë kam parë punën time, hallin tim. Ia kam lënë drejtësisë këtë punë, ta zgjidhë drejtësia, jo unë si person.
Pyetje: Çfarë dyshoni? Është një ngjarje e sajuar apo diçka tjetër?
Shaip Hasalla: Për mendimin tim është një ngjarje e sajuar nga ana e tyre.
Pyetje: Pse mendon ta kenë bërë këtë? Shaip Hasalla: Duan të hakmerren. Pyetje: Djali që akuzohet është i gatshëm të përballet me policinë? Shaip Hasalla: Djali është në Greqi tani, ku do vijë djali.
Shaipi është një nga personat e marrë në pyetje në lidhje me plagosjen e Bajame Senaj ndërsa policia mori edhe dëshminë e dy djemve të tij përmes telefonit. Vëllai i gruas Afrim Hasalla, akuzoi fisin tjetër me të njëjtin mbiemër se u bënë pritë pasditen e së enjtes duke i qëlluar me armë zjarri.
Deri më tani nuk ka asnjë person të arrestuar, edhe pse po vijojnë hetimet.
Një ditë më parë, Bajame Senaj mori një plumb në këmbë dhe ndodhet në spital në Tiranë nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën. Ajo bashkë me anëtarë të tjerë të familjes po kthehej nga gjyqi ndaj vëllait të saj Kastriot Hasalla i cili u dënua me 35 vjet burg. Ky i fundit u dënua për vrasjen e Romeo Hasallës, djalit të Shaip Hasallës në korrik të vitit 2021. Shkak u bë një konflikt pronësie një sipërfaqe toke, konflikt që vijon mes dy fiseve.