Pothuajse të gjithë e keni dëgjuar që ekziston një legjendë për shiun dhe motin e keq në mesin e muajit prill. Kjo periudhë njihet si “Plakat e Prillit” për shkak të një legjende këtu në Shqipëri.
Legjenda bën fjalë për një plakë bareshë, e cila kishte nxjerrë delet në kullotë, në mal, duke shpresuar se në kalendar kishte ardhur pranvera. Gabimi i saj ishte se për këtë nuk kishte pyetur Dimrin, që grindej vazhdimisht me Pranverën, për datat e sakta se kur mbaronte njëri dhe kur fillonte tjetra.
I zemëruar nga sjellja kryeneçe e plakës, Dimri iu lut Pranverës t’i jepte tre ditë hua për t’a ndëshkuar atë. Dhe vërtet kështu ndodhi, ato tre ditë bënë shtrëngata dëbore, stuhi dhe acar i madh, dhe plaka, që u gjend e pa përgatitur, u bë viktimë duke ndërruar jetë në mal, së bashku me delet e saj.
Kjo ngjarje është sintetizuar në folklorin popullor me shprehjen: “Dimër o vëlla, merri tre dite hua, ta mbysësh plakën me ç’ka ka ! “
Legjenda popullore nuk është pa bazë astronomike. Sipas kalendarit alla turka, që është i spostuar me 15 ditë nga kalendari që përdorim zyrtarisht, këto ditë koeçidojnë me fillimin e mbizotërimit të ditës mbi natën për rrjedhojë të rritjes të energjisë diellore që bie mbi Tokë.
Kjo shkakton prishjen e ekuilibrave termikë ekzistues dhe vendosjen e ekuilibrave të rinj, ato të Pranverës. Prandaj në datat 15, 16 dhe 17 prill moti vuan “shtërzimet e lindjes” të stinës të re të Pranverës dhe këto tre ditë njihen në popull si Plakat./Priza.al