Kosova dhe Serbia u dakordësuan për planin evropian, ditën e djeshme, në një takim në Bruksel. Ky hap është konsideruar historik nga ana e Kryeministrit të vendit Edi Rama. Me anë të një postimi në rrjetin social Twitter, ai ka inkurajuar palët e përfshira për të nisur punën drejt një zbatimi të shpejtë. Rama e cilësoi të duhur vendimin e Kurtit.
“Paqja dhe bashkëpunimi janë çelësi për të ardhmen që u detyrohemi fëmijëve tanë në këtë rajon të shkatërruar prej shekujsh nga mungesa e paqes dhe bashkëpunimit. E mirëpres pëlqimin e dy palëve për Marrëveshjen për rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ky është një moment historik i rëndësishëm për paqen rajonale dhe unë inkurajoj fuqimisht të gjitha palët e përfshira që të vazhdojnë të punojnë për një zbatim të shpejtë. Për paqen dhe bashkëpunimin, Shqipëria është dhe do të mbetet një besimtare dhe një model roli. Ne mbështesim plotësisht çdo përpjekje për të kapërcyer të kaluarën.
Uroj që askush të mos e akuzojë Albin Kurtin për tradhti apo harresë, por gjithkush të kuptojë se kryeministri i sotëm i Kosovës ka bërë gjënë e duhur, duke hedhur një hap të parë me shumë rëndësi drejt daljes nga kurthi i të djeshmes. Hapa të tjerë pasofshin pa humbur kohë” – shkruan Rama në Twitter.
Peace and cooperation are key for the future we owe to our kids in this region devastated for ages from lack of peace and cooperation. I welcome the consent of the two sides for the Agreement on the Path to Normalisation between Kosova and Serbia🇽🇰🤝🇷🇸
— Edi Rama (@ediramaal) February 28, 2023