Plas ‘lufta’ brenda opozitës/ Brisi Shehaj: Harruam që Luli ka planet e veta!

Humbja e zgjedhjeve të 25 prillit, ka përçarë edhe opozitën. Zgjedhjet nxorën haptazi jo vetëm votën qytetare, por edhe luftën mes grupit. Pakënaqësitë e para filluan menjëherë pasi PS-ja kryesonte me votat, duke reflektuar zërin kumbues të shumë prej eksponentëve të opozitës, se faji ishte vetëm i Bashës. Lufta brenda llojit sa vjen dhe po thellohet edhe më tej, e dita-ditës po pasqyrohet një revoltë e cila tashmë ka shpërthyer.

Në kohën kur nga të djathtët kërkohet largimi i Bashës, si rrallë herë po shfryjnë dufin edhe personazhe nga LSI-ja. Një ndër to është Brisida Shehaj, ish-drejtoresha e Tatimeve. Rrjetet sociale të japin mundësinë që të nxjerrësh të pathënat, dhe këtë dritare ajo e ka shfrytëzuar mësë miri, duke i dhënë një goditje të fortë PD-së.

Brisida Shehaj akuzon kryedemokratin Lulzim Basha, se po punon për Edi Ramën. Një tezë e tillë e hedhur edhe më herët nga ana e Petrit Vasilit, i cili madje jepte edhe paralajmërime të forta. Ish-drejtoresha e Tatimeve në mandatin e parë të qeverisë Rama, Brisida Shehaj, në zgjedhjet e 25 prillit kandidoi për deputete në qarkun e Tiranës, nën siglën e LSI-së. Në pyetje-përgjigjet në Instagram, një qytetar i ka vënë në dukje atë që ai dhe shumë të tjerë mendojnë se djegia e mandateve ishte një gabim i madh.

Këtë e pohon edhe vetë ajo, por ndër të tjera një pjesë të fajit ia faturon kreut të PD-së, duke thënë: “Harruam që Basha ka skenaret e veta, jo të opozitës”. Këtu le vend për shumë hipoteza…

Një pyetje tjetër po kaq me peshë, kishte të bënte me dorëheqjen e kryetarëve të opozitës. Ajo flet për kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi, se qytetarët i kanë besuar me vullnet të lirë votën, ndërsa lë të nënkuptuar ndarjen me PD-në.

Lëvizja Socialiste për Integrim mori një goditje të rëndë në zgjedhjet e 25 prillit. Për Kryemadhin, por edhe për numrin 2 të kësaj partie, Petrit Vasilin, zgjedhjet vazhdojnë, dhe opozita sipas tij, ka për detyrë që të mbrojë vullnetin e sovranit deri në rinumërimin e votës së fundit. Vasili ka apeluar në mënyrë të vazhdueshme që opozita të përqendrohet në rinumërimin dhe transparencën e çdo vote.

Fitorja e PS-së, me mbi 50 përqind të 140 vendeve në Parlamentin e ri, i jep asaj mandatin e tretë qeverisës rradhazi për të qeverisur e vetme. Humbja e zgjedhjeve është e treta rradhazi për PD-në, partinë më të madhe në opozitë. Kryetari i saj, Lulzim Basha, ka pranuar më herët humbjen, ndërsa i ka mëshuar fort faktit se “do të vazhdojë luftën për demokracinë”. Ai akuzoi socialistët për manipulim të procesit zgjedhor. Pas rezultatit, dolën haptazi edhe pakënaqësitë brenda PD-së.

Ish-Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, kryetar i Këshillit Kombëtar të PD-së, e cilësoi Bashën si “shembullin e paaftësisë dhe modelin që po e asgjëson PD-në pak nga pak”. Nishani kërkoi që “Basha të marrë përgjegjësinë e dështimit të tij personal prej 8 vitesh, dhe ta lërë të lirë PD-në për t’u ringritur”. Edhe anëtari i Kryesisë së PD-së, Fatbardh Kadilli, kërkoi gjithashtu dorëheqjen e Bashës.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *