Kujtimet e bukura dhe dielli i vjeshtës duket se kanë bërë që rusët t’i rikthehen plazheve të Sinait dhe Detit të Kuq.
Plot 6 vite pas sulmit terrorist të ISIS-it, turistët rus janë rikthyer në Sharm el Sheikh, me gjithë pandeminë nëpër këmbë.
“Para 2015-ës, kishte rreth 120-150 fluturime që vinin nga Rusia çdo javë… Shpresojmë që gjërat të kthehen ashtu siç ishin”,- i tha AFP-së udhërrëfyesi egjiptian Abdelqader Abdel-Rahman.
Ky atraksion turistik në Detin e Kuq, u godit keq ekonomikisht pas rrëzimit të një aeroplani në vitin 2015, që vrau 224 pasagjerë kryesisht rusë.
Sulmi u mor përsipër nga i ashtuquajturi grup xhihadist i Shtetit Islamik.
Pas rrëzimit të aeroplanit, Rusia vendosi një ndalim të plotë të të gjitha fluturimeve në Detin e Kuq, që nga viti 2015, madje edhe në Kajro për disa javë.
Me pandeminë Covid-19 më pas, në vitin 2020, kjo ishte një goditje e dyfishtë duke larguar kështu edhe turistët e mbetur.
Turizmi në këtë rajon përfaqëson rreth 10% të PBB-së së gjithë Egjiptit, ku një e treta e popullsisë prej 100 milionë banorësh, jeton nën kufirin e varfërisë.
/Burimi: AFP/