Qani Muça, i arrestuar pasditen e djeshme pasi tentoi të vrasë inspektorin e mbrojtjes së territorit në bashkinë Tiranë, do të përgjigjet para drejtësisë për dy akuza; armëmbajtje pa leje dhe tentativë vrasje, pasi plagosi Ilirjan Gavellin. Sipas dosjes së përpiluar nga Policia e Shtetit, Muça 30 minuta pasi i është prishur banesa në zonën e “Ali Demi” i është drejtuar me fjalë fyese Gavellit dhe më pas ka nxjerrë pistoletën që mbante në brez dhe e ka qëlluar në bark. Madje gjatë arrestimit ai u ka thënë punonjësve të policisë së ‘këta (punonjësit e IMT) duhen vrarë të gjithë se janë kriminelë’.
“Po largoheshim kur Qemali më shau dhe nxori pistoletën. U hodha për t’ia marrë armën dhe më qëlloi dy herë. Kur u përlesha me Muçën për t’i marrë armën vinte era alkool, ishte i dehur,”-ka thënë në dëshminë e tij punonjësi i IMT-së, Ilirjan Gavelli.
Ndërkohë që gruaja e Qani Muçës ka deklaruar se nuk e dinte që burri kishte armë, ndërsa bashkëshorti i saj nuk ka dhënë shenja pendese për plagosjen e ndodhur disa ditë më parë.
“Nuk kisha dijeni që burri mbante armë,”- ka thënë ajo për bashkëshortin 55-vjeçar.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:30 në kryqëzimin e rrugës “Todi Shkurti”, ndërsa konflikti erdhi si pasojë e një vendimi të firmosur nga punonjësi i IMT-së për shembjen e shtëpisë së 55-vjeçari Qani Muça. Nga hetimet e provat materiale ka qëlluar dy herë me armë pistoletë. Një plumb ka kapur Gavellin duke kaluar tej përtej në bark e një plumb një mjet të parkuar aty. Megjithatë fatmirësisht nuk i ka rrezikuar jetën.